FC Shkupi mund Sileksin, mjaftoi goli i kapitenit Iseni (VIDEO)

FC Shkupi ka shënuar fitore minimale, por shumë të vlefshme në përballjen e parë të javës së 10-të kundër Sileksit, duke marrë përkohësisht kryesimin në renditjen tabelare, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e trajnerit Umit Karan shënoi fitore minimale 1:0, falë golit të shënuar nga Besar Iseni në minutën e 54-të.

Kapiteni i “bardhekaltërve” nga Çairi shfrytëzoi në maksimum gabimin e mbrojtësit Karçevski, i cili në tentativë për të kthyer një top për portierin Bozhinovski, gaboi duke i dhënë mundësinë Isenit për të shënuar golin e parë sezonal.

Nuk vonoi shumë dhe 4 minuta më pas edhe kostarikani Fredi Alvarez tentoi për të shënuar në rrjetën e Bozhinovskit, mirëpo shtylla këtë herë i mohoi golin skuadrës vendase.

Pas këtij goli të pësuar Sileksi hapi lojën, duke rrezikuar në dy raste portën e Naumovskit, i cili në minutën e 76-të madje kapituloi, mirëpo goli i Tanturovskit u anulua për shkak pozitës jashtëloje. Një gjë të tillë vërteton edhe xhirimi i ngadalësuar nga video transmetimi i drejtëpërdrjetë që e shihni më poshtë.

FC Shkupi u kanos sërish në minutën e 82-të, mirëpo tentativa e Gudiabit që të shënojë me thembër nuk dha rezultatin e duhur.

Në anën tjetër Sileksi pati mundësinë më të mirë me anë të Filip Kostovskit më minutën e 85-të, mirëpo Naumovski reagoi mjaft mirë, duke mos lejuar që Sileksi të shënojë, me ç’rast në fund ndeshja u mbyll me fitore minimale të FC Shkupit, edhe pse skuadra vendase shumë lehtë mund të ndodhte që të shënonte edhe ndonjë gol tjetër, në rast se shfrytëzonte disa nga rastet ideale para portës së Bozhinovskit.

Për FC Shkupin ishte kjo fitorja e 7-të sezonale, me ç’rast skuadra nga Çairi tashmë kryeson renditjen tabelare me 22 pikë, një më shumë se Shkëndija e vendit të dytë, që ndeshjen e saj të javës së 10-të do ta zhvillojë nesër kundër Rabotniçkit në Tetovë.

Leave a Reply