Ferid Agushi sezonin e ri në futsal e nisi me “tripletë”

Ferid Agushi sezonin e ri e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke realizuar “hat-trik” në fitoren 5:0 të Futsal Shkupit ndaj Karadakut në Kumanovë. Ishte kjo ndeshja e parë në sezonin e ri për skuadrën kampione të Maqedonisë së Veriut në futsal, që edhe këtë vit do të prezantojë vendin tonë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve Europian.

Sipas Agushit, është mirë që më në fund startoi edhe kampionati vendor, pasi do ju shërbejë atyre si një parapërgatitje për ndeshjet që i presin në Ligën e Kampionëve në javën e fundit të nëntorit.

“Pas pauzës që pati e gjithë Bota për shkak pandemisë, e kishim shumë të vështirë të rikthehemi në stërvitje. Kemi filluar që para dy muajve me përgatitje, pasi siç dihet do të luajmë edhe në Ligën e Kampionëve, ashtu që me padurim prisnim fillimin e kampionatit” – është shprehur fillimisht Ferid Agushi për faqen zyrtare të kllubit, duke folur edhe për ndeshjen e së dielës kundër Karadakut, në të cilën ndeshje Futsal Shkupi, edhe përkundër mungesave të shumta në fund i’a arriti qëllimit që të marrë 3 pikët e planifikuara.

“Ndeshja kundër Karadakut ishte mjaft e fortë. Në këtë ndeshje kishim disa mungesa shumë të rëndësishme në formacion, por me angazhim maksimal të të gjithë lojtarëve në fund arritëm ti marrim tre pikët e plota”. – u shpreh Agushi, i cili këtë edicion pret një kampionat të ekuilibruar, ku të paktën 3 skuadra do të luftojnë për titullin e kampionit.

“Kampionati sivjet do të jetë më i ekuilibruar, pasi janë edhe dy ekipe tjera pretendente për titull. Neve si skuadër do të luftojmë ndeshje pas ndeshjes, me hapa të sigurtë dhe besoj se suksesin e kemi të garantuar” – ka përfunduar, Agushi.

Leave a Reply