Pelisteri me lajme jo të mira nga infermieria, mesfushori i tyre humb gjysmësezonin!

Pelisteri dhe trajneri i tyre Zoran Shterjovski, kanë marrë lajme tejet të hidhura nga infermieria, pasi që mesfushori i kësaj skuadre Gjorgji Tanushev ka marrë një lëndim serioz dhe do të duhet të pauzojë deri në fund të këtij gjysmësezoni, njofton “infOSport.mk”.

Lajmin për “gol.mk” e ka konfirmuar mjeku i skuadrës nga Manastiri, Marjan Jonçevski.

“Tanushev ka një këputje të pjesëshme të ligamentit të kryqëzuar të pasmë. Për momentin nuk ka nevojë për ndonjë ndërhyrje kirurgjikale ndaj futbollistit, i cili do të duhet të ju nënshtrohet disa terapive. Nuk mund të thuhet saktë periudha e mungesës së tij, por ai me siguri në fushat e blerta do të kthehet në pranverë, në pjesën pranverore të LPFMV” –  ka thënë mjeku i klubit të Pelisterit,  Marjan Jonçevski.

                                                     Gjorgji Tanushev (Foto:gol.mk)

Tanushev u ankua në lëndim gjatë ndeshjes së fundit kundër Struga Trim Lum, me ç’rast u zëvendësua nga sulmuesi Hot. Fillimisht u mendua për një lëndim të natyrës më të lehtë, mirëpo më pas u konstatua se futbollistin me origjinë nga Strumica e pret një periudhë më e gjatë e rehabilitimit.

Tanushev këtë edicion me Pelisterin  ka zhvilluar të gjitha 10 ndeshje, ku ka realizuar edhe dy gola në ndeshjet kundër Sileksit dhe Shkëndijës.

Tanushev në këtë mënyrë i bashkohet Borha Kordobas, i cili tashmë një kohë më të gjatë është i lënduar, ndërsa lajm i mirë për trajnerin Shterjovski, është rikthimi i Bllagoja Siprkoskit.

Pelisteri pas 10 xhirove të para me 12 pikë mban pozitën e 8-të në tabelën e klasifikimit, ndërsa në kuadër të javës së 11-të, do të luaj si mysafir kundër Borecit. Edhe pse kjo ndeshje ishte  paraparë të zhvillohet nesër, e njëjta, së bashku edhe me gjitha ndeshjet tjera do të zhvillohen fundjavën e ardhshme.

Leave a Reply