Tirana shkarkon trajnerin Egbo

Skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana ka njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me Emanuel Egbo, me të cilin edicionin e kaluar pas shumë vitesh riktheu titullin e kampionit në kryeqytet, njofton “infOSport.mk”.

Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga klubi i Tiranës përmes faqes së tyre zyrtare në “facebook”, e ku si arsye potencojnë mungesën e rezultateve. Për më tepër Tirana sot u eliminua nga Korabi i Ligës së Parë në 1/8 e finales së Kupës së Shqipërisë.

Njoftimi i KF Tiranës:

“Klubi i Futbollit Tirana njofton shkarkimin e trajnerit Emmanuel Egbo.

Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, Egbo nuk do të jetë më në krye të bardhebluve për shkak të rezultateve të munguara.

Klubi e falenderon për përkushtimin dhe sukseset e arritura, të cilat kulmuan me kthimin e titullit kampion në shtëpi.

Duke i uruar suksese në karrierën e tij, kampi i kampionëve i jep një meritë të vecantë të suksesit në sezonin e shkuar njëriut që prej vitesh ishte edhe do të jetë pjesë e familjes së bardhebluve. Faleminderit Egbo!”

Leave a Reply