Kosova fiton dhe qëndron në Ligën “C” (VIDEO)

Kosova ka shënuar fitore minimale 1:0 ndaj Moldavisë në ndeshjen e fundit të grupit C3 të Ligës së Kombeve, duke ruajtur statusin e saj edhe për vitin tjetër si pjesë e Ligës “C”, njofton “infOSport.mk”.

Në një ndeshje në të cilën “Dardanët” ishin dominues thuajse gjatë gjithë takimit, golin e vetëm të vlefshëm 3 pikë e realizoi Lirim Kastrati në minutën e 31-të. Futbollisti i Dinamo Zagrebit përfitoi nga një top i devijuar nga ana e futbollistëve mysafir dhe me një goditje të fuqishme nga brendia e zonës arriti që të shënojë në rrjetën e moldavëve.

Në pjesën e dytë Moldavia shfaqet disi me kërkuese, por pa mundur të rrezikojë seriozisht portën e Ujkanit. Në fund situata bëhet e vështirë për dardanët sepse Dresheviç u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 85-të për shkak të një faulli teknik si lojtari i fundit.

Në fund Kosova fitoi ndeshjen minimalisht 1:0, duke siguruar qëndrimin në Ligën C, pas një fushate plot vështirësi në këtë edicion të Ligës së Kombeve, transmeton “infOSport.mk”.

Vlen të theksohet se kjo ishte fitorja e parë e Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve si pjesë e grupit 3, aty ku vendin e parë e zuri Sllovenia me 14 pikë, kjo falë barazimit pa gola sonte në udhëtim ndaj Greqisë në Athinë.

Leave a Reply