Njihuni me sulmuesin shkupjan, i cili kishte shënuar golin e parë me Shkëndijën në ndeshjet e Ligës së Parë

Shkëndija e Tetovës debutimin e saj historik në një ndeshje të Ligës së Parë e kishte bërë me 18 gusht të vitit 1996. Në atë ndeshje “kuqezinjtë” nga Tetova kishin lozur me Bellasicën, ndaj së cilës skuadër kishin shënuar fitore minimale 1:0, ndërsa autorë i golit të vetëm kishte qenë sulmuesi shkupjan Hixhet Jusufi, transmeton “infOSport.mk”.

Ky i fundit ka folur për faqen zyrtare të Shkëndijës, ku ka folur me shumë kënaqësi e nostalgji për eksperiencën e tij me fanellën “kuqezi”.

“Ishin kohëra të bukura, por shumë më të vështira se tani. Ndjenjë e bukur kur kthehemi prapa aq shumë në kohë për të kujtuar fillimet e Shkëndijës në elitë. Ky klub gjithmonë ka simbolizuar kombin tonë dhe unë jam krenarë që jam autor i golit të parë të Shkëndijës në Ligën e Parë. E kujtoj si sot ndeshjen me Bellasicën! Shumë spektatorë, super atmosferë, eufori e paparë dhe aq shumë njerëz që lumturoheshin nga suksesi ynë”, – kujton me nostalgji Hixhet Jusufi, sot 45 vjeçarë dhe pronar i një biznesi privat jashta sferës së futbollit.

“Ju faleminderit shumë që më keni kujtuar. Vërtet më ngjallët një emocion të madh dhe më kthyet krenarinë që bart nga ajo kohë. Jam i lumtur sot të shikoj Shkëndijën në këto nivele, duke dominuar futbollin vendor e duke arritur edhe suksese në Europë. Asokohe ishin situata tjera, vështirë për klubin të bënte më shumë, por ne jemi krenar për atë që kemi bërë për këtë fanellë. E kaluara dhe e tashmja përbëjnë historinë e lavdishme të këtij klubi”, – shton Jusufi, që u ndje i nderuar për kujdesin e treguar ndaj tij, në kushte kur janë ndëruar shumë gjenerata dhe të rinjtë edhe nuk është se e njohin atë.

“Kanë kaluar shumë vite, normal te ne futbolli dhe mediat nuk janë në nivelin e asaj që shofim në Europë dhe është e kuptueshme se gjeneratat e reja nuk më njohin. Por ndodh që në biznesin tim të kalojnë tetovarë më të vjetër dhe ndjehem shumë krenar kur më njohin e më kujtojnë për golin e parë të Shkëndijës në elitë”.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi të uroj të gjithë gjeneratat për punën që kanë bërë. Përshëndes “Ballistët”, tetovarët dhe gjithë simpatizuesit e këtij klubi. Uroj shumë suksese në të ardhmen dhe faqe të reja të lavdishme në historinë e Shkëndijës”, – përfundoi Hixhet Jusufi, i cili foli edhe për golin e 900-të, të shënuar nga Ensar Luma me 7 nëntor kundër rivalit lokal, Renovës. Ai uroi 20-vjeçarin Luma për këtë arritje, duke i dëshiruar njëherit edhe shumë gola të tjerë dhe suksese në karrierë.

“Nga goli im tashmë u bënë 900 gola?! E bukur për ta dëgjuar dhe kur ta mendosh se duke shkruar historinë e duke shtuar golat, unë mbetem i pari dhe autor i një momenti historik. Uroj djaloshin Ensar Luma që bëri golin numër 900, i dëshiroj shumë gola tjerë dhe suksese në karrierë”, – ka përfunduar Hixhet Jusufi.

Leave a Reply