Makedonija dhe FC Shkupi barazojnë, nuk shfrytëzuan barazimin e Shkëndijës (VIDEO)

Makedonija GJ.P dhe FC Shkupi kanë barazuar pa gola në derbi ndeshjen e javës së 13-të, duke mos arritur asnjëra, e as tjetra të shfrytëzojnë barazimin e Shkëndijës kundër Struga Trim Lum në udhëtim, njofton “infOSport.mk”. Kështu që të dyja këto skuadra vazhdojnë të qëndrojnë pas “kuqezinjëve”, mirëpo si rival të denjtë në luftën për titull.

Edhe pse rrjetat pushuan në stadiumin në Gjorçe Petrov, skuadrat krijuan disa raste ideale për gol.

Tek vendasit në qendër të vëmendjes ishte Khalid Abdul Basid, i cili edhe pse në dy raste doli i vetëm para portierit Artan Iljazi, nuk arriti që të gëzojë ekipin.

Në anën tjetër rastin më të mirë për të shënuar e kishte Ilirid Ademi, goditjen e të cilit nga brendia e zonës për mrrekulli e ndali portieri Stevkovski.

Në fillimin e pjesës së dytë “bardhekaltërit” nga Çairi pretenduan edhe për një penalti, mirëpo arbitri tregoi që loja të vazhdojë. Fredy Alvarez, një ndër futbollistët më të disponuar për lojë te FC Shkupi goditi fuqishëm me të majtën e tij nga jashtë zonës,ndërsa Atanasovski për të bllokuar goditjen e tij përdori edhe krahun, mirëpo sipas arbitrit kryesor, këtu nuk kishte elemente për penalti.

Në vazhdim të dyja skuadrat tentonin që të vinin deri tek goli i shumë dëshiruar, mirëpo realisht nuk regjistruam ndonjë rast konkret nga ana e të dyja skuadrave, ashtu që në fund barazimi mund të thuhet se ishte edhe epilogu më i drejtë i këtij takimi, transmeton “infOSport.mk”.

Makedonija GJ.P me 26 pikë vazhdon të mbetet në pozitën e dytë, ndërkohë FC Shkupi me vetëm një pikë më pak renditet në pozitën e tretë.

Leave a Reply