Partizani po heziton të firmosë me Ferhan Hasanin, por….

Ferhan Hasani ndodhet në Tiranë, ndërsa gjasat janë të mëdha që në këtë qytet të bukur i njëjti të vazhdojë të mbetet edhe më tej, kjo pasi emri i tij lidhet ngushtë me një kalim te skuadra e Partizanit.

Fantazisti tetovar gjatë ditës së djeshme ka pasur një takim me drejtuesit e Partizanit, mes tyre edhe me drejtorin, Olsi Rama.

Merkato e janarit ka bërë që 30 vjeçari të lakohet në disa klube, me Hasanin që kërkon 14 mijë euro pagë mujore.

Te Partizani ka një ngërç sa i takon kësaj shume, pasi Hasani do bëhej kësisoj lojtari më i paguar në Superligë, me diferencë të madhe me lojtarët e tjerë të “Demave të Kuq”.

Nisur nga qetësia në skuadër, të kuqtë kanë tentuar të bindin sulmuesin që të ulë pretendimet e tij, duke mos krijuar pakënaqësi me pjesën tjetër të skuadrës, duke pasur parasysh se futbolli është lojë kolektive dhe jo individuale.

Kësisoj drejtuesit e Partizanit do tentojnë një ekuilibër edhe në pagat mujore të lojtarëve, për të ruajtur klimën e mirë në skuadër.

Kujtojmë Hasani fillimisht ishte i lidhur me një kalim të mundshëm te Tirana, që më pas në pistë të dalë edhe Shkëndija, por edhe një skuadër nga India, që kishte treguar gatishmëri për t’ia plotësuar kërkesat financiare ish kapitenit të Shkëndijës, i cili së fundmi ishte pjesë e Helsinkit, me të cilën skuadër fitoi edhe titullin kampion, por edhe Kupën e Finlandës. (infOSport.mk)

Leave a Reply