Shkëndija më shumë se 200 minuta pa shënuar gol! Por kjo nuk e shqetëson trajnerin Gjoka

Shkëndija sot barazoi pa gola në derbin lokal kundër Renovës, ndërsa ishte kjo ndeshja e dytë me rradhë që skuadra më efikase në kampionat nuk shënon dot. Megjithatë kjo gjë nuk e shqetëson trajnerit Ernest Gjoka, pasi sipas tij ekipi ka potencialin për të shënuar, por se për momentin futbollistëve ju mungon edhe fati. Kujtojmë Shkëndija nuk shënoi edhe ndaj Rabotniçkit në Shkup, ndërsa së fundmi ata realizuan dy gola kundër Vardarit në Tetovë në kuadër të javës së 20-të.

“Nuk është çështje që më shqetëson fakti që nuk shënojmë tashmë dy ndeshje me radhë, mendoj se ne e kemi potencialin për të shënuar golin, por duhet të jemi akoma më agresiv para portës që të arrijmë të shënojmë nga rastet që kemi. Edhe sot patëm raste për të shënuar gol, por ndoshta mungoi fati i futbollistëve për të shënuar. Gjithsesi, sot ka mbaruar faza e dytë, kampionati bëhet akoma edhe më i egër, duhet të jemi akoma më të kujdesshëm, të vëmendshëm, të përqendruar. Në dy ndeshjet e fundit ndoshta edhe skuadra ka ndjerë presion në sensin e të qenurit në vendin e parë dhe vendi i parë ka presionin e vet sigurisht. Ndoshta edhe kjo mund të ketë qenë një lloj hutie dhe problem të sulmuesit tanë. Por unë kam besim që ne kemi potencialin për të shënuar gol dhe për të ec përpara, të vazhdojmë dhe të shkojmë drejt asaj rruge që ne i jemi përcaktuar prej fillimit të kampionatit.” – është shprehur Ernest Gjoka për faqen zyrtare të klubit nga Tetova.

Shkëndija pas 22 xhirove të kaluara ka grumbulluar 47 pikë, më shumë se çdo skuadër tjetër, ashtu që fazën e tretë dhe finale e starton me 7 pikë epërsi ndaj vendit të dytë që mbahet nga FC Shkupi. (infOSport.mk)

Leave a Reply