Jasir Asani shënon në fitoren e Partizanit, shënon edhe ish futbollisti i Shkëndijës (VIDEO)

Partizani ka shënuar një fitore më të lehtë se sa pritej në ndeshjen kundër Bylisit, e vlefshme për javën e 26-të në Superligën e Shqipërisë, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Ilir Daja shënuan fitore 3:0, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe ish futbollistë që më parë kishin luajtur në kampionatin tonë dhe janë shumë të njohur për opinionin sportiv.

Ish futbollisti i Shkëndijës, Stenio Zhunior hapi serinë e golave, edhe atë duke shënuar vetëm pas 16 sekondave lojë. Braziliani shfrytëzoi në maksimum gabimin e portierit mysafir dhe nuk fali, duke bërë që Partizani të avansojë shumë herët.

Ky gol ishte i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa goli i dytë erdhi vetëm në minutën e 69-të, kur Jasir Asani nga brendia e zonës me të majtën e tij shënoi një gol mjaft të bukur për rezultat 2:0.

Ky gol ishte shumë i nevojshëm për të mos rrezikuar, ndërkohë që Erald Çinari në minutën e 84-t ndëshkoi për të tretën herë skuadrën e Bylisit.

3-0, rezultat që mund të thellohej me Ferhan Hasanin, fantazistin tetovar, i cili në lojë u inkuadrua në minutën e 71-të, duke zëvendësuar Muratajn.

Pas kësaj fitore, Partizani ngjitet në pozitën e tretë me 47 pikë, po aq sa ka edhe Vllaznia e Shkodrës në pozitën e dytë, ndërkohë Teuta me 49 pikë mban pozitën e parë në renditje.

Ndeshjen e rradhës skuadra e Partizanit do ta zhvillojë kundër Kastriotit si vendas.

Leave a Reply