Rabotniçki-Shkëndija, ndeshja më efikase e 45 minutave të para, kjo falë edhe gafave të portierëve (VIDEO)

Janë mbyllur 45 minutat e para në kuadër të ndeshjeve të javës së 30-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Derbi shqiptarë midis Struga Trim Lum dhe FC Shkupit u mbyll me barazim pa gola, Renova ndodhet në disavantazh në transfertën në Strumicë përballë Akademia Pandev, ndërkohë ndeshja në arenën “Todor Proeski” në Shkup midis Rabotniçkit dhe Shkëndijës, doli të jetë ndeshja më efikase e fraksionit të parë.

1:2 është rezultati aktual në favor të Shkëndijës, që përmbysi gjithçka falë golave të Igor da Silva Vanderson dhe Rubin Hebajt.

Ndryshe ndeshja nisi me një gafë të portierit mysafir, Kostadin Zahov, kur thjeshtë i dhuroi golin Mario Stankovskit.

E gjithë kjo ndodhi vetëm në minutën e dytë, ndërsa në të 19-të, një harkim i Armend Alimit nga goditja e këndit i mundësoi brazilianit Igor Da Silva që me kokë të shënojë golin e barazimit.

Mirëpo kampionët e rinj dhe të vjetër nuk u kënaqën me kaq, ashtu që deri në mbyllje të pjesës së parë me anë të Rubin Hebajt shënuan edhe golin e dytë. Këtij goli i parapriu një gafë tjetër, kësaj rradhe e portierit vendas, Riste Jankov, i cili reagoi shumë dobët pas goditjes së Dashmir Elezit, ndërsa këtë intervenim të tij në maksimum e shfrytëzoi Hebaj, që realizoi golin e tretë të njëpasnjëshëm dhe të katërtin në përgjithësi këtë edicion me fanellën e Shkëndijës. (infOSport.mk)

Leave a Reply