Goran Pandev vendos për të ardhmen e tij

Paraqitja e tij në Kampionatin Europian ishte mbyllja më e mirë që Goran Pandev mund t’i bënte karrierës me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ku ai për shumë vite ka qenë një lider i padiskutueshëm.

Ndeshja e tij e fundit, ajo ndaj Holandës, do të kujtohet edhe për homazhin që i bënë kundërshtarët dhe shokët e skuadrës. Por me sa duket ajo nuk ka qenë ndeshja e fundit e futbollit në karrierën e kapitenit të përfaqësues së vendit tonë në futboll.

Sipas “Sky Sport”, Pandev ka vendosur që të vazhdojë të luajë në Serinë A në moshën 37-vjeçare. Klubi i Xhenoas i ka bërë prej kohësh propozimin për rinovim edhe një tjetër edicion dhe sulmuesi ka pranuar, me zyrtarizimin që do të bëhet në ditët në vijim.

I njëjti burim thekson se Pandev kërkon që lamtumira e tij të jetë ashtu siç duhet, me duartrokitje tifozësh dhe është i bindur që këtë vit stadiumet në Itali do të mbushen përsëri. Ndaj ai planifikon të japë kontributin e tij edhe një vit për klubin italian, në mënyrë që në fund të marrë duartrokitjen e merituar të tyre kur të vendosë të varë këpucët në gozhdë.

Leave a Reply