Haxhi Krasniqi para rimeçit me Boesel: Unë jam kampioni i Botës dhe do mbetem si i tillë

Boksieri shqiptar, Robin Haxhi Krasniqi do të kthehet në ring më 9 tetor, ku do të përballet sërish me Dominic Boesel, për ta mbrojtur titullin kampion që e fitoi para një viti.

Krasniqi do të zhvillojë rimeçin me Dominic Boesel, të cilin e mposhti me 10 tetor të vitit 2020 në raundin e tretë me nokaut.

Pas asaj fitore, Kransiqi u shpall kampion bote IBO dhe WBA në peshat gjysmë të rënda.

Megjithatë, ditë më parë u zyrtarizua nga vetë boksieri shqiptar se do të ketë rimeç me Dominic Boesel, luftë kjo që në program do të jetë me datë 9 tetor.

Robin Haxhi Krasniqi para kësaj lufte shumë të madhe ka folur për ‘GazetaBlic Sport’, ku është shprehur shumë i motivuar dhe i përgatitur. Ai gjithashtu premtoi se do të mbetet kampion i botës.

“Si gjithnjë, edhe tani jam stërvitur maksimalisht. Me stërvitje kam filluar vetëm pak javë pasi që e kam fituar titullin në vitin e kaluar. Boesel është një boksier me një teknik shumë të përsosur, ai i ka zhvilluar mbi 120 duele amatore para se të kalonte në boksin profesionist, ajo është diçka që mua më mungon komplet – sepse kam filluar të boksoj si profesionist pa asnjë duel amator. Megjithatë, une jam kampioni i botës dhe do mbetem”, – ka thënë fillimisht Robin Krasniqi.

34 vjeçari thotë poashtu se fitoren e ka obligim, pasi dëshiron të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Fitoren e ndjejë obligim, sikur tani ashtu edhe në duelet e mëparshme dhe natyrisht se dua të prezantohem në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të fitojë sërish bindshëm. Deri tani ka shkuar çdo gjë shumë mirë, shpresojë të vazhdojmë kështu. Po patjeter, i motivuar jam maksimalisht. Ajo fitorja e titullit të botës i ka përmbush të gjitha dëshirat e mija ndaj këtij sporti dhe më ka bërë edhe më të fortë”, – është shpreh Robin Krasniqi.

Në fund, kampioni i botës, Robin Krasniqi foli edhe për përkahjen e madhe që merr gjithmonë nga shqiptarët.

“S’kam se si ta përshkruajë krenarinë për mbështetjen që e kam nga bashkatëdhetarët tonë, mbeshtetja e tyre është gjithnjë madhështore. Uroj që të gjithë të kalojnë një mbrëmje sa më të mirë me 9 tetor dhe t’i gezojë të gjithë me një fitore tjetër”, – ka përfunduar Krasniqi.

Leave a Reply