Fitore me aromë Botërori për Maqedoninë ndaj Lihtenshtejnit (VIDEO)

Maqedonia ka regjistruar fitoren e parë nën drejtimin e Bllagoja Milevskit, duke marrë fitore të thellë 4:0 në transfertën ndaj Lihtenshtejnit, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo fitorja e 10-të nga gjithsej 11 ndeshje të zhvilluara përballë kundërshtarit të sontëm, i cili në asnjë rast nuk rrezikoi konkretisht portierin Dimitrievski.

Dare Velkovski shënoi golin e parë për Maqedoninë në këtë takim, kur përfitoi nga një tollovi para portës vendase. E gjithë kjo ndodhi në minutën e 39-të dhe doli të jetë goli i vetëm i shënuar gjatë pjesës së parë, ndërsa në të dytën “verdhekuqtë” shënuan edhe 3 gola të tjerë.

Në minutën e 66-të Arijan Ademi në zonën kundërshtare u ndal në mënyrë të palejuar nga mbrojtësit kundërshtarë, ndërsa pas rishikimit të VAR, arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë, nga e cila i saktë u tregua Ezgjan Alioski.

Boban Nikolov në minutën e 74-të, edhe atë vetëm 4 minuta pas inkuadrimit në lojë në vend të Arijan Ademit shënoi golin e tretë për Maqedoninë, derisa golin e katërt dhe të fundit e realizoi Darko Çurlinov në minutën e 83-të.

Ishte ky goli i parë në një ndeshje zyrtare për Maqedoninë, për Darko Çurlinov, i cili kishte shënuar edhe në miqësoren ndaj Kazakistanit qershorin e këtij viti.

Ishte kjo fitorja e tretë për Maqedoninë në kuadër të grupit “J”, me ç’rast ekipi i Bllagoja Milevskit sërish rikthehet në pozitën e dytë me 12 pikë, 6 më pak se Gjermania që sonte mundi Rumaninë me shifrat 2:1.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Islanda dhe Armenia barazuan me rezultatin 1:1. (infOSport.mk)

Leave a Reply