Xhemal Ibishi shkëlqen në Kroaci, realizon gol për tre pikë (VIDEO)

Larg syve të opinionit vendor, sulmuesi i ri shkupjan, Xhemal Ibishi duket se gjenë formën optimale në kategorinë e dytë të futbollit kroat.

Dy gola dhe dy asiste për NK Dubrava Tim Kabel, prej të cilëve realizimi i fundit me vlerën e tre pikëve bëjnë protagonist 20 vjeçarin, shkruan “infOSport.mk”.

I transferuar në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit nga Vardari i Shkupit, reprezentuesi i shpresave të Maqedonisë së Veriut nuk gjeti shumë hapsira për lojë dhe vendimi për të shkuar si huazim te NK Dubrava duket i qëlluar.

Besim, minuta për lojë dhe për më shumë protagonizëm në fushë e rezultate kthejnë vetëbesimin e shkupjanit, që jep sinjale se rigjen nuhatjen për golin.

Aq sa të dielën është shndëruar në heroin e derbit të kreut të renditjes në kategorinë e dytë në Kroaci.

NK Croatia Zmijavci e vendit të dytë të dielën priti si vendase NK Dubrava Tim Kabel-in, ndërsa vendimtar doli pikërisht Ibishi që realizoi golin e vetëm të takimit të fituar 0:1 nga miqtë. Shkupiani realizoi gol të bukur me kokë, kur priti me shumë nuhatje një harkim në minutën e 39-të, ndërsa rrjeta vendase ishte vendi ku do të ndalej goditja e tij.

Në fund ky do të ishte momenti vendimtar i ndeshjes dhe me tre pikët e fituara NK Dubrava nga vendi i 8-të shkon në pozitën e tretë me 22 pikë të tubuara, vetëm një më pak se dy ekipet e kreut, kundërshtari i sotëm NK Croatia Zmijavci dhe Varazhdini.

Leave a Reply