Javë e mbarë për futbollistët tanë shqiptarë në Europë! Daci, Asani dhe Et’hemi shënojnë eurogola (VIDEO)

Fundjava ka rezultuar e mbarë për disa nga futbollistët shqiptarë nga Maqedonia që luajnë në futbollin europian, njofton “infOSport.mk”.

I pari që kishte shënuar ishte Valon Et’hemi, tetovari i cili shënoi golin e vetëm për ekipin e Istanbulspor në transfertën ndaj Erzurum, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 14-të në Ligën e Dytë turke.

Et’hemi shënoi golin e parë të takimit,duke kaluar në epërsi skuadrën e tij, por që në fund nuk doli të jetë i mjaftueshëm për Istanbulspor, skuadër kjo që në fund u mund me rezultatin 3:1.

Për Valon Et’hemi, ishte ky goli i dytë i shënuar këtë edicion në Ligën e Dytë turke, aty ku tetovari mban epitetin e asistuesit më të mirë në ligë, me 7 asistime.

Për dallim nga Et’hemi, shkupjani Erdon Daci doli të jetë figurë kyçe në fitoren e Vesterlos 4:3 ndaj Muskron. Daci realizoi dy gola në këtë takim, secili më i miri se tjetri.

Golin e parë, Erdon Daci e realizoi në minutën e 58-të, kur barazoi shifrat në 2:2, pas disavantazhit 0:2 të ekipit të tij. Foster nga e majta harkoi brenda zonës, aty ku Daci me të majtën e tij shënoi një super gol, duke mos i dhënë fare hapësirë portierit mysafir Gillekens për të intervenuar.

Mirëpo kjo nuk ishte e tëra nga repertoari i Dacit, i cili në minutën e 74-të shënoi një tjetër eurogol, sërish me të majtën e tij, këtë herë duke lëshuar një predhë të vërtetë, ku topi nga traverza përfundoi në rrjetën e mysafirëve.

Me këto dy gola, Daci arriti në shifrën e 8 golave të shënuar në 11 ndeshje në 1B Pro League, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve.

Një tjetër eurogol këtë fundjavë realizoi edhe Jasir Asani, i cili ndihmoi ekipin e tij Kisvarda për të shënuar fitore 2:1 përballë MOL Fehervar të Visar Musliut në elitën e futbollit hungarez. Asani edhe në këtë ndeshje luajti titullarë, ndërsa në anën tjetër te MOL Fehervar mungoi Visar Musliu, reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut.

Shkupjani Asani shënoi golin e dytë për Kisvarda, kur nga e djathta, nga jashtë zonës me të majtën e tij shënoi një eurogol, që në fund u tregua edhe i mjaftueshëm për ftoren e skuadrës së tij, që pas 15 xhirove renditet në pozitën e dytë, menjëherë pas ekipit të Myrto Uzunit, Ferencvaroshit.

Ndryshe goli i shënuar nga MOL Fehervar ishte i treti për Jasir Asanin këtë edicion në elitën e futbollit hungarez, aty ku gjatë fundjavës kishte realizuar edhe ish futbollisti i Renovës, Bojan Miovski. Ky i fundit shënoi golin e fitores në minutën e 97-të nga penaltia për MTK Budapest, skuadër kjo që në fund shënoi fitore 2:1 përballë ish skuadrës së Enis Bardhit, Ujpeshtit.

Një gol tjetër nga futbollistët shqiptarë me origjinë nga Maqedonia në futbollin europian, shënoi edhe tetovari Nedim Bajrami, i cili ndihmoi skuadrën e tij Empolin në “Serie A” për të mundur Udinezen me rezultatin 3:1. (infOSport.mk)

Leave a Reply