Shkëndija dhe FC Shkupi favoritë absolut, kush do fitojë në duelin Struga Trim Lum-Renova?

Me ndeshjen midis Tikveshit dhe Bregallnicës, që u mbyll me fitoren e mysafirëve (1:3), nisi java e 18-të në elitën e futbollit vendor, që njëherit do të jetë edhe xhiroja e fundit e stinorit vjeshtorë, njofton “infOSport.mk”.

Bregallnica e Marjan Sekullovskit, edhe pse gjatë 45 minutave të para ishte në disavantazh pas golit të Riste Karakamishev në minutën e 16-të, në të dytën bëri një rikthesë totale, të cilën e paralajmëroi që gjatë çerekut të fundit të pjesës së parë, kur edhe kishte humbur një penalti me anë të Stojanov, por njëkohësisht ishte edhe kundërshtarë shumë më i mirë, duke dominuar lojën.

Me të njëjtin ritëm vazhduan edhe në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa goli i barazimit erdhi në minutën e 56-të kur Jovan Manev shfrytëzoi pasimin e dhënë nga futbollisti kundërshtarë Karakamishev dhe me të djathtën e tij me një gol të bukur bëri që Bregallnica në ato momente të shënojë për 1:1.

Goli i dytë erdhi në minutën e 70-të, kur Milan Xhokiç nga brendia e zonës shënoi për 2:1, ndërsa rezultatin përfundimtarë, Tikveshi 1, Bregallnica 3, e vendosi Marjan Altiparmakovski me golin e rastësishëm të shënuar në minutën e 90-të.

NDESHJET E SË DIELËS – E diela sjellë edhe 5 ndeshjet e tjera të javës së 18-të. FC Shkupi dhe Shkëndija shihen si favoritë absolut përballë Borecit në Veles, gjegjësisht Skopjes në Tetovë, ndërsa shumë paqartësi pritet të ketë në ndeshjen në Strugë midis Struga Trim Lum dhe Renovës.

Rabotniçki në arenën “Todor Proeski” do të mirëpret Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit, ndërkohë Akademia Pandevi në Strumicë do të mirëpret ekipin e fundit në tabelë, Pelisterin.

Të gjitha ndeshjet e ditës së nesërme do të startojnë në ora 13:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply