Shprehu dëshirën të kthehet te Interi, Tushel lë jashtë ekipit Lukakun!

Sulmuesi i Çelzit, Romelu Lukaku, nuk është grumbulluar nga ana e trajnerit Tomas Tushel për ndeshjen e sotme derbi kundër Liverpullit, që i takon javës së 21-të në Premierligë.

Kjo vjen fill pas deklaratës së belgut që nuk po e gjen veten te ekipi i “bluve” të Londrës dhe se do të kishte dëshirë të kthehej sërish te Interi.

Tekniku gjerman nuk e fshehu irritimin e tij ndaj Lukakut pas kësaj deklarate. Ai u shpreh se këtë gjë belgu nuk mund ta thoshte publikisht si fillim, por mund ta diskutonte një herë me trajnerin.

Për këtë arsye sulmuesi 28-vjeçar do të mungojë në sfidën e sotme kundër Liverpulit, që veçmë ka startuar disa minuta më parë.

Kjo sfidë është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat të cilat kërkojnë fitoren, me qëllim që të vazhdojnë garën e zjarrtë me Mançester Sitin për kreun e tabelës.

Me përjashtimin e Lukakut, numri i mungesave te skuadra e Çelzit për ndeshjen me Liverpullin shkon në 6, pasi që më herët dihet se Tushel nuk mund të llogariste në shërbimet e futbollistëve, si Çiluell, Verner, Xhejms, Kristensen dhe Tiago Silva.

Ndërkohë në anën tjetër Jurgen Klop nuk ka probleme të këtilla, pasi përveç Tiago Alkantarës, do të ketë në dispozicion ekipin e tij më të mirë për këtë ndeshje.

Leave a Reply