Radeski: I lumtur për golin, por më shumë për 3 pikët e plota

FC Shkupi si mysafir në arenën “Todor Proeski” në Shkup mundi Rabotniçkin me rezultatin 1:0, duke regjistruar në këtë mënyrë fitoren e 15-të këtë edicion, në të cilin po avanson bindshëm në renditje para Shkëndijës.

FC Shkupi zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, ku të gjithë futbollistët dhanë maksimumin në fushë për 90 minuta, por lojtari i ndeshjes së sotme, pa dyshim që ishte Marjan Radeski.

Pas një depërtimi fantastik në zonën e Rabotniçkit në minutën e 67-të, Radeski arriti të shënoj golin e vetëm dhe të fitores, duke na rikujtuar në ditët e tij më të mira kur luante me fanellën e Shkëndijës.

Pas përfundimit të ndeshjes Radeski foli për faqen zyrtare të klubit nga Çairi. “Këto janë tre pikë të rëndësishme për skuadrën tonë. Ne japim maksimumin në çdo ndeshje dhe shpresojmë që do të vazhdojmë kështu derisa t’i gëzojmë tifozët tanë dhe ta sjellim titullin në Çair. Goli ishte i rëndësishëm por më gëzon më shumë fakti që arritëm ti marrim tre pikët, të cilat mendoj që i merituam sepse dominuam ndeshjen nga fillimi deri në fund” – është shprehur Marjan Radeski.

FC Shkupi pas 20 xhirove të kaluara në Ligën e Parë kryeson renditjen me 48 pikë, 8 më shumë se kampionët në fuqi të Shkëndijës. (infOSport.mk)

Leave a Reply