Greqia mund Kosovën në një ndeshje mjaft të tensionuar në Volos (VIDEO)

Kosova ka pësuar disfatë 2:0 në transfertën ndaj Greqisë, duke humbur shanset për pozitën e parë në grupin 2 të Ligës “C” në kuadër të Ligës së Kombeve, njofton “infOSport.mk”.

Sfida mes Kosovës dhe Greqisë që u zhvillua sonte në Volos ishte shumë e tensionuar, sidomos në tribuna, aty ku fjalën kryesore e patën tifozët grek.

Ata që në fillim fërshëllyen himnin e Kosovës, që më pas të shpalosin flamurin serb kundrejt “Dardanëve”, të cilët më pas u sulmuan edhe me gjësende të forta dhe me flakadane. Përveç kësaj, ata thuajse gjatë gjithë takimit me laser pengonin futbollistët kosovar, të cilët gjatë pjesës së parë u mbajtën shumë mirë, duke mos pranuar asnjë gol.

45-minutëshi i dytë do të shikonte dardanët dhe grekët më kërkues të golit, por vazhdoi të ishte në “paqe” deri në minutën e 71-të kur Giakoumakis do të gjente edhe golin e epërsisë për grekët.

Kosova tentoi të barazonte në minutat në vazhdim, duke tentuar me Milot Rashicën e me Arbër Zenelin, por pa sukses, ndërsa në minutat shtesë të takimit, në minutën e 98-të, kur edhe Aro Muriç doli në zonën kundërshtare, “Dardanët” e pësuan edhe golin e dytë, kjo edhe pas një pakujdesie të Emir Sahitit, i cili nuk mundi të evitojë topin para Mantalos, i cili në ato momente shuajti shpresat e skuadrës së Alen Zhires, se mund të nxjerrin të paktën një barazim.

Pas 4 xhirove të para në grupin 2, Greqia me 12 pikë kryeson renditjen, duke lënë pas Kosovën me 6 pikë, ndërkohë Irlanda e Veriut dhe Qiproja renditen në dy pozitat e fundit me nga 2 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply