Ekskluzive, shkupjani Iseni i bashkohet Tiranës kampione!

Tirana ka shlyer borxhin prej 120 mijë eurosh ndaj finlandezit, Tim Vayrynen. Klubi bardheblu ka paguar gjitha detyrimet dhe tashmë në sistemin “TMS” rezulton se merkato e kampionëve të Shqipërisë është zhbllokuar.

Kësisoj, “bardheblutë” nga kryeqendra shqiptare kanë mundësi të regjistrojnë deri nesër në darkë çdo lojtar që Orges Shehi e do për ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër Duddelanzh.

Një ndër ata futbollistë që Shehi e kërkonte me ngulm për të mbuluar krahun e majtë të mbrojtjes, siç mëson “infOSport.mk”, është shkupjani Besir Iseni.

Ky i fundit te kampionët e Shqipërisë do të transferohet nga rradhët e Struga Trim Lum, me të cilën skuadër edicionin e kaluar luajti edhe në garat e Ligës së Konferencës, duke shënuar madje që në ndeshjen debutuese ndaj FK Liepaja.

Burime të “infOSport.mk” bëjnë me dije se Tirana është marrë vesh me drejtuesit e Struga Trim Lum rreth dëmshpërblimit dhe se lojtari gjatë ditës së sotme pritet të arrijë në Tiranë për të firmosur kontratën.

Për shërbimet e mbrojtësit nga Shkupi, interes nga Superliga shqiptare kishte shfaqur edhe Laçi, Gjilani nga Superliga e Kosovës, ndërsa i njëjti ishte kontaktuar gjithashtu  edhe nga Drejtori Sportiv i FC Shkupit, Omer Bunjaku.

Për 22-vjeçarin Iseni, Tirana do të jetë aventura e tij e parë jashtë vendlindjes, pasi i njëjti si profesionist kishte veshur edhe fanellën e Vëllazërimit të Kërçovës, nga e cila skuadër shkurtin e vitit 2021 ishte transferuar te Struga Trim Lum, për të cilën skuadër në total ka regjistruar 18 ndeshje dhe 1 gol. (infOSport.mk)

Leave a Reply