Struga Trim Lum zgjidh çështjen e portierit

Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme ka bërë edhe një transferim tjetër, duke zgjidhur këtë herë edhe çështjen e portierit. Pas largimit të Davor Taleskit, drejtuesit e Struga Trim Lum ishin vënë në kërkim të një portieri cilësor, të cilin e gjetën në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti është me origjinë nga Maqedonia.

Fjala është për Vedran Kjoshevski, i cili te Struga Trim Lum vjen si agjent i lirë.

Kjoshevski vitin e kaluar nuk luajti asnjë ndeshje me fanellën e Velezh Mostar, pasi këta të fundit e kishin suspenduar për shkak se i njëjti nuk kishte pranuar të vazhdonte kontratën.

Në futbollin boshnjak përveç me ekipin e Velezh Mostar, Kjoshevski kishte luajtur edhe me ekipin e Zheljezniçar, me të cilën skuadër kishte luajtur edhe në Europë.

27-vjeçari Kjoshevski ka një CV shumë të pasur, pasi i njëjti numëron plotë 135 ndeshje gjatë karrierës së tij, 8 prej të cilëve në kupat europiane. Ai që të gjitha 8 ndeshjet europiane i kishte zhvilluar me Zheljezniçar në kuadër të Liga Europa, ku në 3 ndeshje kishte arritur që të mbajë portën e tij të paprekur.

Ndryshe në Superligën boshnjake, Kjoshevski numëron plotë 104 ndeshje, ndërsa edhe 23 ndeshje të tjera numëron në kuadër të Kupës së Bosnje e Hercegovinës. Në këto 127 ndeshje, Kjoshevski portën e tij e kishte mbajtur të paprekur në plotë 56 ndeshje. Vërtetë statistika mjaft të mira për një portier, i cili pritet të jetë numri 1 te Struga Trim Lum.

Ai gjithashtu kishte qenë edhe pjesë zinxhir e kombëtareve të Bosnje e Hercegovinës, duke filluar nga U17, U19, U21, për të arritur edhe deri te ekipi i parë, por që nuk kishte mundur të debutojë në një ndeshje zyrtare.

Për më tepër i njëjti do të llogaritet edhe si lojtar vendor, pasi informacione të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se Kjoshevski shumë shpejtë, ndoshta edhe brenda javës do të pajiset me pasaportën e Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh se është i lindur në qytetin e Velesit me 22 maj të vitit 1995. (infOSport.mk)

Leave a Reply