Shkëndija kryen detyrën edhe në Shkup, eliminon Valmieran!

Shkëndija e Tetovës ka kryer me sukses detyrën e shtëpisë, duke mundur 3:1 ekipin e Valmiera nga Letonia në kuadër të turit të dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”.

Kujtojmë, Shkëndija kishte regjistruar fitore edhe në ndeshjen e parë në Letoni (2:1), ashtu që me rezultatin e përgjithshëm 5:2 “kuqezinjtë” me plotë meritë u kualifikuan për në raundin e tretë të këtij kompeticioni, duke iu bashkuar në këtë mënyrë skuadrës kosovare të Ballkanit.

Egzon Bejtullai shënoi golin e epërsisë për Shkëndijën, edhe atë vetëm pas 11 minutave lojë, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Hasanit nga gjuajtja e lirë dhe me kokë shënoi për 1:0.

Valmiera u kundërpërgjigjë në minutën e 25-të me anë të japonezit Murata, i cili nga brendia e zonës arriti të mposhtë Kostadin Zahov, derisa në minutën e 33-të ndodhi momenti më i mirë i ndeshjes, kur  Doriev duke përshkuar thuajse gjithë terrenin me shpejtësinë e tij, si një tren i shpejtë depërtoi deri te zona kundërshtare për të rikthyer sërish epërsinë e Shkëndijës.

Kështu pjesa e parë u mbyll me shifrat 2:1 në favor të skuadrës tetovare, që gjatë pjesës së dytë realizoi edhe një gol tjetër, këtë herë me anë të rezervistit Florent Ramadani. Ky i fundit në minutën e 71-të zëvendësoi vëllain e tij, Reshat Ramadani, derisa në minutën e 85-të shënoi golin e parë europian me fanellën e skuadrës së tij të zemrës, duke e ndihmuar atë që të kalojë në raundin e tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës.

Në atë fazë “kuqezinjtë” i pret përballja ndaj ish skuadrës së Jasir Asanit, AIK Stokholm. (infOSport.mk)

Leave a Reply