Kosovë, Prishtina dhe Gjilani e nisin edicionin me fitore, Drita barazon në “Riza Lushta”

Sot ka filluar edicioni i ri në Superligën e Kosovës në futboll. Qysh në start ekipet kanë shfaqur lojëra interesante dhe kanë dhuruar emocione. Prishtina dhe Gjilani kanë shënuar fitore në frymën e fundit të ndeshjeve, derisa skuadra nënkampione në fuqi, Drita, ka arritur t’i shmanget humbjes në Mitrovicë, ndonëse në pjesën e parë ishte në disavantazh prej dy golash.

Gjilani ka arritur të fitojë para tifozëve të vet në duel me Ferizajn, me rezultat 3:2, në një duel që ka prodhuar lojë të mirë dhe shumë gola. E këtë ndeshje e ka ndjekur nga afër presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Mevlan Zeka i dha epërsinë vendësve në minutën e 24-të, me golin e shënuar me kokë pas harkimit të Përparim Islamit. Shifrat i barazoi 11 minuta më pas Ramush Ramadani, derisa pas 4 minutash lojë në pjesën e dytë, Ferizaj arriti ta përmbysë rezultatin me golin e Betim Haxhimusës.

Megjithatë, kjo nuk ishte përmbysja e vetme në këtë takim, pasi Gjilani nuk u dorëzua dhe arriti që me dy gola të përforcimit të ri Theophilus Solomon, në minutat 84 e 90’+3’ t’i gëzohet fitores. Minuta e tretë e kohës shtesë ishte më fat edhe për Prishtinën, e cila me golin e tetovarit Muhamed Useinit iu gëzua fitores në Klinë në përballje me Dukagjinin (2:1).

Paraprakisht Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 27-të, me supergolin e Endrit Krasniqit nga gjuajtja e lirë, që njëherësh ishte goli i parë i këtij edicioni. Dukagjini i barazoi shifrat në minutën e 40-të, me golin e Ahmed Januzit. Dhe kur dukej se ndeshja do të mbyllej pa fitues, Useini arriti që në frymën e fundit të ndeshjes të realizoi me kokë.

Mjaft interesante ishte edhe ndeshja në stadiumin “Riza Lushta”, ku skuadra e rikthyer në elitë, Trepça’89 pati paraqitje të shkëlqyeshme në duel me Dritën e Ardian Nuhiut, (2:2).

“Minatorët” pjesën e parë e mbyllën në epërsi 2:0, ku Christian Mba shënoi dy gola të shpejtë për skuadrën e Shpëtim Idrizit, në minutat 36’ dhe 38’, megjithatë Drita pati paraqitje më të mirë në pjesën e dytë dhe arriti t’i shmanget humbjes me golat e Drilon Islamit, në minutën e 70-të dhe Ardit Tahirit nga penalltia në minutën e 85-të.

Nesër (e diel) zhvillohet ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Llapit, derisa dueli ndërmjet Malishevës dhe Ballkanit është shtyrë, ngase skuadra portokallezi luan në ‘play-off’ të Ligës së Konferencës kundër skuadrës kampione të vendit tonë, FC Shkupit.

Ndeshjen e parë këto dy skuadra do ta zhvillojnë me 18 gusht në Shkup, ndërsa ndeshja e kthimit në Prishtinë, në program është një javë më pas.

Leave a Reply