Shkëndija rrëshqet, Struga Trim Lum nuk ndalet

Janë mbyllur ndeshjet e javës së dytë në elitën e futbollit vendor, ku në program gjatë ditës së sotme ishin 4 takime në të njëjtën kohë, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija për shkak suspendimit të terrenit në Tetovë, ndeshjen e parë të sezonit 2022/23 si vendas, e zhvilloi në Strugë. Edhe përkundër përkrahjes dhe avantazhit që kishte gjatë pjesës së parë, “kuqezinjtë” përballë Sileksit luajtën vetëm baraz 1:1.

Dashmir Elezi kaloi në epërsi ekipin e Artim Shaqirit në minutën e 17-të, ndërsa kur të gjithë prisnin fundin e takimit, një harkim në zonën e “kuqezinjëve”, shkupjani Arsim Lamallari e shfrytëzoi më së miri dhe me kokë barazoi shifrat, duke i dhënë një goditje të rëndë Shkëndijës.

Struga Trim Lum morri tre pikët e plota në transfertën e vështirë në Shtip, duke mundur Bregallnicën me rezultatin minimal 1:0. Në një ndeshje tipike kampionale, ku nuk munguan rastet nga të dyja anët, Struga Trim Lum golin e fitores e gjeti 3 minuta para fundit të takimit, falë goditjes precize të nigerianit Hogan Ukpa nga jashtë zonës, kur arriti të shënojë një gol mjaft të bukur.

Me rezultatin identik 1:0, fitore në transfertë regjistroi edhe Tikveshi, që falë golit të Mishov në fundin e pjesës së parë mundi Pobedën në Prilep, ndërkohë në arenën “Todor Proeski”, Akademia Pandev i shkaktoi një disfatë të rëndë 5:0 Rabotniçkit, që ndodhet në pozitën e fundit me një gol-averazh 0:7, pas dy xhirove të para.

Vane Krstevski doli të jetë futbollisti i ndeshjes, duke realizuar 3 gola, një gol tjetër shënoi edhe Tomovski, ndërsa goli i dytë ishte autogol.

Kujtojmë, gjatë ditës së djeshme FC Shkupi mundi Makedonija GJ.P me rezultatin 2:1, ndërsa Skopje ishte e lirë. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 2

Shkëndija 1:1 Sileksi
Bregallnica 0:1 Struga Trim Lum
Rabotniçki 0:5 Ak.Pandev
Pobeda 0:1 Tikveshi
FC Shkupi 2:1 Makedonija GJ.P
Skopje e lirë  

Leave a Reply