Arbitri i Superligës shqiptare do të ndajë drejtësinë në ndeshjen e luksit mes shpresave të Anglisë dhe Gjermanisë

UEFA i ka besuar arbitrit Enea Jorgji bilbilin e sfidës miqësore mes ekipeve U-21 të Anglisë dhe Gjermanisë. Ndeshja në fjalë në program ëhstë me datë 27 shtator dhe e njëjta do të zhvillohet në Shefilld me fillim në ora 20:45, derisa arbitri  elbasanas me stemën e FIFA-s, do të ketë nderin të jetë kryesori i këtij takimi, ku përballë do të vihen dy kombëtare me peshë që i kanë dhënë shumë futbollit.

Jorgji në këtë ndeshje do të ndihmohet nga Denis Rexha dhe Dojando Myftari, teksa arbitër i katërt do të jetë Kridens Meta.

Duket se Federata e Anglisë në Futboll i ka bërë kërkesë FSHF-së për të pasur arbitra nga Shqipëria në këtë duel, me UEFA që ka dhënë miratimin.

Pas suksesit në ndeshjet e Ligës së Kombeve apo Ligën e Konferencës, tanimë arbitrat nga Shqipëria po gjykojnë edhe kombëtare luksi, edhe pse në moshën deri 21 vjeç.

Ndërkohë, një katërshe tjetër gjyqtarësh me kryesor Juxhin Xhajën, do të vendosë drejtësi nesër në orën 20:45 në ndeshjen e Ligës së Kombeve midis Lihtenshtejnit dhe Andorrës.

Asistentë të Xhajës në këtë ndeshje do të jenë Rejdi Avdo dhe Nertil Bregasi, ndërsa i katërt Elodrian Hamiti. Në sistemin VAR do të jetë italiani Luka Paireto.

Leave a Reply