Stafit teknik të Shkëndijës i bashkohet maqedonasi Jovanovski

KF Shkëndija ka angazhuar një prej trajnerëve më të mirë kondicional në rajon e më gjërë. Bëhet fjalë për Ivan Jovanovskin, ndryshe i njohur edhe me nofkën “Karas”, i cili bashkohet me stafin e kryetrajnerit Qatip Osmani dhe në të ardhmen do të jetë përgjegjës për përgatitjen fizike të futbollistëve kuqezi.

Jovanovski vjen te Shkëndija me një “bagazh” të pasur dhe përvojë të madhe ndërkombëtare të grumbulluar nga puna me ekipe të ndryshme nga Bullgaria, Azerbajxhani, Turqia e Rusia, si dhe përfaqësuesja A e Maqedonisë së Veriut me të cilën punoi nga viti 2016 e deri pas pjesëmarrjes në Kampionatin Europian “Euro 2021”.

Karas ka diplomuar në Fakultetin e Edukatës fizike në Shkup, dega futboll, ndërsa ka magjistruar në drejtimin e kinezologjisë. Përvojën e parë si trajner kondicional jashta vendit e kishte në vitin 2010 te CSKA e Sofies, para se të kalonte te Ludogoreci poashtu në Bullgari. Në vitin 2013 pasoi transferimi në Azerbajxhan te Inter Baku, ndërsa do të pasonte një hap i madh përpara në karrierë kur kaloi në Turqi fillimisht te Gençerbirligi e pastaj edhe Rizespor.

Në vendin tonë përveç Makedonija Gj.P. ku ka filluar karrierën ka qenë pjesë edhe e Akademia Pandevit, ndërsa para ardhjes në Shkëndijë ishte i angazhur në futbollin rus te KF Ural nga Ekaterinburgu.

Pëveç se njihet si profesionist i madh në punën e tij, Jovanovski karakteriozohet si motivues i madh dhe me atmosferën e shkëlqyeshme që prodhon me metodat e tij të punës.

Leave a Reply