Besart Ibraimi: Ndjenjë e mirë të luajë sërish për ekipin përfaqësues

Përfaqësuesja e Maqedonisë e përbërë me futbollist nga kampionati vendor, ka nisur përgatitjet për ndeshjen kontrolluese kundër Arabisë Saudite, që me 22 tetor do të zhvillohet në Abu Dhabi.

Stërvitjen e parë të sotme në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” e kanë bërë të gjithë futbollistët e thirrur me përjashtim të Darko Vellkovskit. Reprezentuesi ynë në Abu Dhabi do t’i bashkohet ekipit.

Ndërkohë një nga futbollistët më me përvojë në këtë skuadër, Besart Ibraimi thotë se është gjithmonë një ndjenjë e mirë kur performon në fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë.

“Është një ndjenjë e mirë të jesh sërish në fanellën e Maqedonisë. Të gjithë ne këtu duhet ta kuptojmë detyrën tonë sa më me përgjegjësi dhe të përpiqemi të bëjmë një rezultat pozitiv kundër Arabisë Saudite. Na pret një sfidë e madhe. Kundërshtari po përgatitet për Botërorin dhe ndoshta do të motivohen për të fituar dhe për të rritur besimin para fillimit të Botërorit. Na takon neve të tregojmë cilësinë, të justifikojmë besimin e trajnerit dhe të konfirmojmë se në ligën tonë ka futbollistë me potencial përfaqësues”, është shprehur Besart Ibraimi.

Kujtojmë, përveç Ibraimit, pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë për këtë miqësore, janë edhe dy futbollistë tjerë të Struga Trim Lum, Bunjamin Shabani dhe Zija Merxhani, derisa dy skuadrat me më shumë përfaqësues, 5 secila, janë Shkëndija dhe FC Shkupi. (infOSport.mk)

Leave a Reply