Struga Trim Lum fiton edhe në Kratovë, titulli kampion vjeshte shumë afër

Struga Trim Lum ka regjistruar fitoren e 10-të sezonale, duke vijuar ecurinë më pozitive në historikun e saj në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Parë, njofton “infOSport.mk”.

Falë kësaj fitore, Struga Trim Lum vazhdon të kryesojë renditjen bindshëm, dhe me shumë gjasa do të shpallet kampione e vjeshtës, kur dihet se deri në mbyllje të pjesës së parë të sezonit kanë mbetur edhe dy xhiro.

Me fitoren e sotme, Struga Trim Lum numëron 33 pikë, 8 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë, që ndeshjen e javës së 16-të do ta zhvillojë nesër kundër Pobedës në Prilep.

Ndryshe, fitoren skuadra e Zaharievskit e siguroi thuajse që në pjesën e parë, kur edhe shënuan të dy golat. Fillimisht ishte Besart Ibraimi, që shënoi golin e epërsisë në minutën e 11-të, kur nga penaltia doli të jetë i saktë.

Ishte ky goli i 9-të sezonal për bomberin kërcovarë, i cili si zakonisht ndodhet në krye të listës së golashënuesve.

Një sezon mjaft të mirë po bënë edhe i riu Hristijan Maleski, ndryshe pjesë e përfaqësueses shpresa të Maqedonisë. Futbollisti i talentuar strugan në minutën e 25-të shënoi golin e dytë, duke i dhënë një qetësi skuadrës në ato momente, që ruajti këtë avantazh të dyfishtë deri në minutën e 83-të, kur shpresat e vendasve i riktheu Marjan Ristovski.

Deri në mbyllje të takimit, Sileksi tentoi fare në fund me anë të Mihail Manevskit nga goditja e lirë, mirëpo goditja e tij nuk ishte e saktë. Në fund fitore më se e merituar për Struga Trim Lum, që në këtë mënyrë iu gëzua fitores së 5-të në duelet direkte me Sileksin në gjithsej 8 ndeshje të zhvilluara në kuadër të Ligës së Parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply