Ndeshja ndaj Lokomotivës e veçantë për Fetain! Në shenjë respekti i njëjti nuk festoi asnjërin prej golave

Voska Sport të shtunën në Shkup shënoi fitore 2:1 ndaj Lokomotivës, skuadër kjo që me drejtuesit e rinj shqiptarë në krye, ka vendosur që ndeshjet e saj si vendas ti zhvillojë në stadiumin e Hasanbegut, aty ku hapat e parë me futbollin i kishte bërë edhe njëri nga futbollistët më të mirë të Voska Sport, Behar Fetai.

Ky i fundit edhe në këtë ndeshje tregoi potencialin që ka, duke realizuar dy gola dhe duke ndihmuar skuadrën e Voska Sport për të regjistruar edhe fitoren e 12-të sezonale, që këtë skuadër e mban në vendin e dytë, menjëherë pas Gostivarit me 3 pikë më pak.

“Ndeshja ndaj Lokomotivës ishte shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht e vështirë,  por me një angazhim maksimal arritëm që të marrim një 3 pikësh shumë të vlefshëm për të vazhduar me ecurinë tonë” – u shpreh fillimisht Behar Fetai, autori i dy golave të fitores kundër Lokomotivës të shtunën.

Kjo ndeshje ishte shumë e veçantë për futbollistin e ekipit tonë, pasi i njëjti pas një kohe të gjatë u rikthye të luaj në stadiumin ku kishte bërë hapat e parë me futbollin, në stadiumin e lagjes së Hasanbegut të Shkupit, aty ku tashmë ndeshjet si vendas do ti zhvillojë skuadra e Lokomotivës, që në të ardhmen pritet të emërohet me emrin Fortuna.

Pikërisht kjo gjë bëri që Fetai, të mos festojë gjatë shënimit të golave, pasi bëhet fjalë për ekipin e tij të lindjes.

“Po, pas një kohe të gjatë u ktheva në vendin ku jam rritur si futbollistë. Mund të them se ishte një ndeshje shumë e veçantë për mua, pasi pikërisht në këtë stadium kisha bërë hapat e parë të karrierës time si futbollistë dhe do u jem mirënjohës të gjithëve për këto arritje të mia. Në këtë ndeshje arrita të shënojë dy gola, mirëpo në shenjë respekti që kam ndaj këtyre njerëzve këtu, nuk festova te asnjëri gol” – përfundoi Fetai, i cili tashmë rezulton të jetë golashënuesi më i mirë te Voska Sport me 13 gola të shënuar. (infOSport.mk)

Leave a Reply