Shpëtim Duro flet si trajner i Struga Trim Lum, më bindi serioziteti dhe profesionalizmi i drejtuesve

Struga Trim Lum në vazhdim të sezonit do të udhëhiqet nga profesori Shpëtim Duro, një emër i njohur ky si për opinionin sportiv në vend, poashtu edhe më gjërë. Shpëtim Duro së fundmi në futbollin shqiptarë kishte drejtuar skuadrën e Egnatias, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti në të kaluarën ka drejtuar edhe Shkëndijën e Tetovës në dy periudha të ndryshme.

Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit strugan, strategu 63-vjeçar ka treguar arsyen e pranimit të ofertës së drejtuesve të Struga Trim Lum, por edhe pritjet e tij me këtë skuadër, që aktualisht udhëheq renditjen tabelare në Ligën e Parë.

“Sigurisht që ka ardhur pa pritur, pas prishjes së bashkëpunimit me ish trajnerin, pas dy ditësh më kanë kontaktuar drejtuesit e Struga Trim Lum dhe pas bisedimeve sigurisht kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe nga sot kam filluar si trajner  i Strugës” – u shpreh fillimisht trajneri Duro, i cili thotë se profesioni i trajnerit është i vështirë, pavarësisht se çfarë skuadre udhëheq.

“Profesioni i trajnerit i tillë është, ka përgjegjësi, sigurisht që edhe në këtë situatë është përgjegjësi, pasi Struga Trim Lum është në vendin e parë, patjetër dhe largimi i trajnerëve, edhe unë kur kam qenë me rezultate të larta, ka pasur raste që jam larguar. Largimi i trajnerit nuk është nganjëherë vetëm për rezultatet, ka edhe faktorë të ndryshëm. Kjo gjë ka ndodhur edhe me mua, pra ky është profesioni i trajnerit, patjetër që çdo drejtim i çdo skuadre, pavarësisht objektivave është përgjegjësi, por i tillë është profesioni i trajnerit” – thotë Duro, i cili te Struga Trim Lum njeh një pjesë të bukur të futbollistëve, ndërsa ajo që kishte bindur strategun nga Tirana, ishte edhe serioziteti dhe profesionalizmi i drejtuesve të skuadrës, të cilët për një periudhë të shkurtër bënë që Struga Trim Lum të jetë një skuadër shumë respektabile në futboll.

“Ndoshta një nga shkaqet dhe elementet kryesore që kam pranuar këtë ofertë, kam pasur kontakte vazhdimisht, njohje, sepse shumë futbollistë që ka sot Struga Trim Lum, unë i kam drejtuar në skuadra të ndryshme, si tek Shkëndija, Partizani i Tiranës, te Kukësi, pra janë futbollistë si pjesë e skuadrës që unë i kam drejtuar. Patjetër që serioziteti i drejtuesve, nuk ja vlen ta them unë, duke patur parasysh se ata kanë arritur në një moment, në një kohë shumë të shkurtër ta ngrejnë Struga Trim Lumin në nivele të larta. Kjo është arsyeja që tregon seriozitetin dhe profesionalizmin e drejtuesve të klubit të Strugës”.

“Lojtarët që unë kam bashkëpunuar janë të shumtë, Besart Ibraimi, Bujo Shabani, Marjan Radeski, Besmir Bojku, Edis Maliqi, ka shumë futbollistë pra, por edhe futbollistët tjerë pak a shumë, pasi unë kam qenë edhe trajner dy herë tek Shkëndija, kështu që kam njohuri pak a shumë edhe për futbollistët tjerë që kanë luajtur te Shkëndija” – u shpreh Duro, i cili nuk fsheh se me Struga Trim Lum do të luftojnë në të dyja frontet.

“Po, patjetër, jemi skuadër që jemi lider momentalisht dhe luftojmë në dy fronte, edhe për titullin, por njëkohësisht edhe për Kupën e Maqedonisë” – përfundoi opinionin e tij profesor Shpëtim Duro, i cili në bankinën e skuadrës strugane do të ketë një debutim shumë të vështirë, duke mirëpritur në Strugë kampionët në fuqi të FC Shkupit.

Leave a Reply