
Voska Sport stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e fundit, mirëpo me ritmin e përforcimeve që e kanë filluar drejtuesit e rinj, kjo skuadër deri në fund do të besoj tek mbijetesa.
Fillimisht kjo skuadër kishte emëruar për trajner strategun turk, Safet Isler, ndërsa më pas kishin ardhur edhe tre përforcimet e para, edhe atë jashtë kufijve të Maqedonisë.
Slloveni Filip Valencic, si dhe dy finlandezët Tuure Siira dhe Oiva Laaksonen, që në fillim të muajit janar vendosën në zezën mbi të bardhë me skuadrën nga qyteti i bukur i Ohrit, derisa një gjë të tillë siç informoi më herët “infOSport.mk”, do të bëjë edhe një tjetër futbollistë finlandez, edhe atë ish reprezentuesi, Petteri Forsell.
Burime të besueshme pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se Forsell do të arrijë që sonte në Ohër, ndërsa bashkë me të edhe talenti francez me origjinë marokene, Jahid Taouri.
Bëhet fjalë për një futbollistë vetëm 19-vjeçar, i cili karrierën e kishte nisur në Francë, mirëpo që në moshë të re falë talentit dhe ambicieve të tij, ishte transferuar në Itali, duke iu bashkuar skuadrës U17 të Torinos.
Verën e vitit 2023, ai ishte transferuar te Bari U19, ndërsa po të njëjtin vit kishte vendosur të transferohet në Spanjë te ekipi U19 i Getafes.
Për herë të fundit ishte pjesë e skuadrës së Al Ain nga Emiratet e Bashkuara Emirate, ndërsa i njëjti nesër pritet ti bashkohet skuadrës së Voska Sport, drejtuesit e rinj të së cilës skuadër dëshirojnë të krijojnë një skuadër shumë kompakte, që do të ishte e aftë për të ju bërë ballë edhe skuadrave më të mira të kampionatit.
Kujtojmë, stinori pranveror në elitën e futbollit vendor, starton me 16 shkurt, ndërsa ndeshjen e parë të gjysmës së dytë të sezonit 2024/25, Voska Sport do ta zhvillojë në terren vendas kundër Besës së Dobërdollit, që gjithashtu ka bërë disa përforcime të qëlluara. (infOSport.mk)