
Laurent Sheji, me origjinë nga Struga, i lindur në Zvicër, ka vendosur të veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës. 20-vjeçari aktualisht është pjesë e Grasshopers, te e cila skuadër u transferua verën e vitit të kaluar nga rradhët e Cyrihut, aty ku kishte kaluar të gjitha grupmoshat.
Sheji luajti për Kosovën U21 gjatë kampit dhjetëditor të zhvilluar gjatë muajit mars në Antalya të Turqisë. Por, për t’u paraqitur në ndeshje zyrtare me fanellën “dardane”, Sheji do të duhet të pajiset me dokumentacionin e duhur të Kosovës.
Procedurat për ta pajisur me nënshtetësi të Kosovës, tashmë kanë nisur për portierin me origjinë nga Veleshta e Strugës, që në këtë mënyrë bëhet i pari shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që është paraqitur me fanellën e Kosovës.
Kosova deri më tani nuk ka pasur në asnjë grupmoshë lojtarë që kanë rrënjë nga Maqedonia e Veriut apo Shqipëria.