
Struga Trim Lum dhe Vardari do të luajnë në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë për sezonin 2024/25, njofton infosport.mk.
Që të dyja këto skuadra, në takimet kthyese që u zhvilluan sot barazuan përballë kundërshtarëve të tyre, megjithatë falë fitoreve në ndeshjet e para, ata do të diskutojnë për trofeun e Kupës.
Struga Trim Lum, pas fitores 2:1 në ndeshjen e parë në Tetovë, sot në Strugë, aty ku gjatë gjithë ndeshjes shiu nuk kishte të ndalur, barazoi me shifrat 1:1 ndaj Shkëndijës së Jeton Beqirit, që i iku disfatës me një autogol të shënuar nga Sava Radiç në minutën e 92-të.
Ndryshe, struganët kishin kaluar në epërsi që në pjesën e parë, falë golit të shënuar nga Hogan Ukpa (19’). Nigeriani kishte shënuar edhe në ndeshjen e parë në Tetovë, ndërsa kishte shënuar edhe ndaj Rabotniçkit në Shkup, në ndeshje kampionale, duke konfirmuar në këtë mënyrë formën e mirë që po kalon.
Me rezultatin 1:1 u mbyll edhe ndeshja në Strumicë, midis AP Brera dhe Vardarit.
Skuadra vendase me golin e shënuar nga Hristijan Jankuloski në minutën e 34-të, riktheu të paktën shpresat se mund të bëjnë diç më tepër përballë Vardarit të Goce Sedlloskit, që arriti deri tek barazimi, falë golit të shënuar nga Mihail Talevski në minutën e 58-të.
Kështu, Vardari me rezultatin e përgjithshëm 4:1, me plotë meritë kualifikohet për në finalen e madhe, aty ku do të përballet për herë të parë në histori me skuadrën e Struga Trim Lum.
Finalja e madhe në program do të jetë me datë 21 maj, në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup. (infOSport.mk)