FFM, takohen përfaqësuesit e ekipeve finaliste të Kupës

Në prag të finales së madhe të Kupës së Maqedonisë, që në program është me datë 21 maj, në hapësirat e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, presidenti Masar Omeragiq, priti në takim përfaqësuesit e dy ekipeve finaliste, ata të Struga Trim Lum dhe Vardarit, njofton “infOSport.mk”.

Në këtë takim u fol në përgjithësi për organizimin e ndeshjes finale, që pritet të jetë një festë e vërtetë për futbollin në vend. Që të dyja palët u pajtuan që mbi të gjitha të mbizotërojë “fair-play”, me qëllim që finalja të kaloj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në fund le të fitojë më i miri.

Në këtë takim, gjithashtu prezent ishin edhe përfaqësuesit e Komisionit të arbitrëve, të cilët do të duhet të jenë gati edhe për përdorimin e sistemit VAR, që do të aplikohet në ndeshjen finale.

Kujtojmë, sistemi VAR u aplikua edhe edicionin e kaluar në finalen e Kupës, ndërsa i njëjti është edhe në planprogramin e presidentit të ri, Masar Omeragiq, i cili njëherit ka paralajmëruar se kjo teknologji në futbollin vendor do të aplikohet edhe në ndeshjet e Ligës së Parë, duke filluar nga sezoni 2025/26.

Nga FFM premtuan se do të ndërmarin të gjitha gjërat në duart e tyre, që finalja e kupës së këtij edicioni midis Struga Trim Lum dhe Vardarit, të ketë një organizim të mirëfilltë, që para së gjithash do të ishte në interes të dy klubeve finaliste, por edhe gjithë tifozëve që do të jenë prezent në atë ndeshje.

Rikujtojmë, ndeshja finale e Kupës për sezonin 2024/25, do të zhvillohet me datë 21 maj në arenën “Todor Proeski” në Shkup. (infOSport.mk)

Leave a Reply