Erhan Ramadani, një emër i njohur në futbollin tonë vendor, i është rikthyer sërish futbollit aktiv. 33-vjeçari, i cili verën e vitit 2024 i dha fund futbollit aktiv, si pjesë e KF Arsimit, ka nënshkruar me skuadrën e SC Staaken, që garon në ligat inferiore gjermane, njofton “infOSport.mk”.
Te SC Staaken, Ramadani do të luaj me bashkëqytetarin e tij, Skender Nebija, me të cilin për 6 vite kishin luajtur bashkë me grupmoshat e reja te Shkëndija e Tetovës.
Ndryshe, Ramadani ka pasur një karrierë të bujshme në futbollin tonë vendor, aty ku numëron afërsisht 250 ndeshje, duke realizuar njëkohësisht edhe 32 gola dhe 12 asistime.
Pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar te Renova, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe me Shkëndijën, Struga Trim Lum, Gostivarin, KF Arsimin, ndërsa një periudhë të shkurtër kishte qenë edhe pjesë e Superligës shqiptare, duke mbrojtur ngjyrat e Partizanit të Tiranës.
Ai me Renovën, gjithashtu kishte luajtur edhe në garat europiane.
Tashmë i njëjti do të provoj veten në Gjermani, aty ku ka migruar së bashku me familje. (infOSport.mk)

