Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë mbrëmë në Gent barazoi pa gola ndaj Belgjikës, duke arkëtuar një pikë shumë të madhe, që mund të jetë edhe vendimtare rreth pozitës së parë në grupin “J”, aty ku “verdhqkutë” vazhdojnë të kryesojnë renditjen me një pikë më shumë se belgët, që në anën tjetër kanë edhe një ndeshje më pak.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Bllagoja Milevski, tha se është i kënaqur me pikën e fituar, por pranon se skuadra dështoi në organizimin e lojës, e ku si arsye kryesore sheh edhe në forcën dhe cilësitë e futbollistëve belg.
“Mund të jem i kënaqur me lojën mbrojtëse, por jo edhe me organizimin e lojës. Ne morëm maksimumin nga kjo ndeshje, megjithëse plani ishte të kishim më shumë posedim të topit, të luanim edhe përpara. Sigurisht, edhe kundërshtari ndikoi në lojën tonë. Belgët kanë lojtarë të shkëlqyer në mesfushë. Gjëja më e rëndësishme është se sonte patëm atë “faktorin X”. Le të rezistojmë deri në fund dhe kur të mbrohemi, të tregojmë karakter. Jemi të lumtur, qëndruam në vendin e parë dhe tani duhet të përqëndrohemi në ndeshjen e ardhshme kundër Kazakistanit, dhe atë menjëherë” – tha trajneri Blagoja Milevski.
