Tërmet 7 ballësh në “Enfilld Roud”, Liverpull – Mançester Junajted 7:0 (VIDEO)

Liverpulli ka regjistruar fitoren më të thellë në histori përballë rivalit historik, Mançester Junajtedit. Duke parë formën e të dyja skuadrave, në “Enfilld Roud” pritej një ndeshje me shumë paqartësi, mirëpo realiteti doli të jetë krejt ndryshe, me një Liverpull që zhvilloi ndeshjen më të mirë të sezonit, duke e kurorëzuar atë në fund me një fitore 7:0, shkruan “infOSport.mk”.

Pjesa e parë u mbyll me vetëm një gol të shënuar, që erdhi në minutën e 43-të, kur Gakpo në mënyrën më të mirë shfrytëzoi pasimin e Robertson dhe me një lëvizje mjaft të bukur brenda zonës së “Djajve të Kuq” arriti të mposhtë për herë të parë në këtë ndeshje portierin e Junajtedit, De Gea.

Pjesa e dytë foli e tëra për Liverpullin, që u udhëhoq nga dyshja Nunjesh-Sallah, që bashkë shënuan 4 gola, nga dy secili, ndërsa një gol tjetër shtoi edhe holandezi Gakpo dhe krejt në fund braziliani Firmino.

Ky i fundit sapo ishte inkuadruar në fushë, arriti të gjejë rrjetën, duke mbyllur kështu në mënyrën më të mirë një nga ndeshjet me rivalin e përbetuar Junajtedin, duke pasur parasysh se i njëjti më nuk do të jetë pjesë e Liverpullit.

Këtë fitore të çmendur të Liverpullit do ta mbajë mend gjatë kohë edhe vetë Sallah, i cili me dy golat e realizuar arriti që të tejkalojë në listën e golashënuesve legjendën e Liverpull, Robi Fauler.

Ndryshe, fitorja e sotme për skuadrën e Jurgen Kllop ishte e 12-ta sezonale, me ç’rast kjo skuadër tashmë renditet në pozitën e 5-të me 42 pikë dhe një ndeshje më pak se Totenhami i vendit të katërt që ka 45 pikë. Në anën tjetër “Djajtë e Kuq” mbeten në pozitën e tretë me 49 pikë të tubuara. (infOSport.mk)

Leave a Reply