Anglia ndalon bastet në fanella, prekën 8 klube aktuale

Premierliga angleze heq zyrtarisht dorë nga bastet, të paktën si sponsor kryesor në fanellë. Duke nisur nga sezoni 2026- ‘27, deri në fund të një periudhe tranzicioni që do të lejohet për të mbrojtur kontratat, të cilat janë ende në fuqi, asnjë klub nuk mund të ketë të shkruar në qendër të fanellës emrin e kompanisë së basteve, fizike apo “online”.

MOTIVET – Klubet kanë vendosur unanimisht për ndalimin e reklamimit të basteve në qendër të fanellave të tyre, duke u thënë jo në elitën e futbollit britanik basteve, të paktën si sponsor kryesor.

Premierliga dëshiron që të jetë mes ambasadorëve të një qëndrimi të ri ndaj basteve, që e gjithë Britania e Madhe është, në fakt, duke e marrë në shqyrtim: qeveria e “Downing Street” ka nisur prej kohësh një rishikim të rregullave të basteve dhe tashmë edhe skuadrat e kampionatit më të ndjekur në botë kanë marrë këtë vendim, pasi u konsultuan edhe me Departamentin e Kulturës, Medias dhe Sportit.

Premierliga është duke punuar gjithashtu edhe me ligat e tjera dhe sportet e tjera për të krijuar një kod sjelljeje që do të ndajë raportin mes sportit profesionist dhe basteve.

KUFIZIMET – Aktualisht janë 8 klube në Premierligë që kanë si sponsor kryesor një kompani bastesh, për një xhiro që vlerësohet se arrin në 68 milionë euro në sezon. Dispozita nuk prek marrëveshjet që janë në fuqi: deri në hyrjen në fuqi, në fillim të sezonit 2026-‘27, skuadrat mund të vazhdojnë që të kenë kompani bastesh si sponsor fanelle dhe mund të firmosin edhe marrëveshje të reja, por me afat skadence fundin e sezonit 2025-‘26. Por kur të hyjnë në fuqi rregullat e reja, ato janë të vlefshme vetëm për sponsorin kryesor.

Sepse klubet mund të vazhdojnë të kenë kontrata sponsorizimi me kompani bastesh, por ato mund të shfaqen vetëm në mëngët e fanellës ose në pjesë të tjera të stadiumit. Por mesazhi mbetet, gjithsesi, i fortë.

Anglia dëshiron që të ulë ekspozimin e reklamave të lojërave të fatit.

Leave a Reply