Shkëndija ka lënë mbrapa tashmë disfatën kundër Vardarit, teksa sot në kuadër të javës së 11-të mundi AP Brera në Strumicë me shifrat 2:3, njofton “infOSport.mk”.
AP Brera, edhe njëherë tjetër u tregua si një kockë e fortë për kundërshtarët e saj, kjo pasi shumë pak mungonte që në minutat e kohës shtesë, kjo skuadër të barazonte rezultatin.
Mbi të gjitha, AP Brera, në minutën e 63-të humbi një penalti. Nga pika e bardhë në ato momente nuk i’a doli të shënojë autori i dy golave të tjerë, Fahd Ndzengue, që edhe sot ishte futbollisti më i rrezikshëm në rradhët e skuadrës nga Strumica.
Ndryshe, për Shkëndijën në këtë ndeshje shënuan, Fiton Ademi, Vane Kërstevski dhe Endrit Krasniqi.
Fitorja e sotme për Shkëndijën, ishte e 7-ta në kampionat, me ç’rast kjo skuadër për momentin barazohet me Vardarin sa u përket pikëve, që të dyja skuadrat kanë nga 24 pikë. Megjithatë vlen të theksohet se Vardari në këto momente po zhvillon ndeshjen e javës së 11-të, derisa rezultati aktual, është 1:1. (infOSport.mk)
