Çfarë po ndodh me Shkëndijën, ndalen nga skuadra e parafundit në tabelë! (VIDEO)

Shkëndija vazhdon të mos përmbush pritshmëritë e tifozëve të saj, teksa sot barazoi 2:2 në transfertën në Shtip përballë Bregallnicës, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo ndeshja e parë e javës së 15-të në Ligën e Parë, në të cilën pavarësisht se “kuqezinjtë” ishin dy herë në avantazh, në fund nuk arritën të marrin pikët e plota.

Për më tepër skuadra e trajnerit Ardian Nuhiu 20 minutat e fundit të takimit, përfshirë këtu edhe shtesën, i zhvilluan me një futbollistë më shumë në fushë, pas përjashtimit të gjeorgjianit Luka Robakidze me të kuq (dy kartonë). Ata në këtë periudhë madje pranuan gol, duke zhgënjyer edhe njëherë tjetër tifozët “kuqezi”.

Ndryshe, Shkëndija avansoi me golin e Dashmir Elezit në minutën e 23-të, kur në manirin e golashënuesve të mëdhenj shënoi një eurogol me të majtën e tij.

Ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa pjesa e dytë doli të jetë shumë më efikase, pasi u shënuan tre gola të tjerë.

Viktor Velkovski në minutën e 54 nga afërsia me kokë shënoi golin e parë për Bregallnicën në këtë ndeshje, në të cilën Shkëndija riktheu sërish epërsinë, këtë herë falë golit të boshnjakut Almir Aganspahiç në minutën e 68-të.

Vetëm 5 minuta më vonë, vendasit e Bregallnicës mbetën me një futbollistë më pak në fushë, mirëpo kjo nuk u pengoi atyre që në minutën e 86-të, me anë të Gjorgji Gjorgjiev të shënojnë edhe golin e dytë dhe të barazimit.

Bregallnica edhe pas këtij barazimi vazhdon të mbetet në zonën e ftohtë të renditjes, derisa Shkëndija përkohësisht mban pozitën e parë, me 29 pikë, një më shumë se FC Shkupi dhe dy më shumë se Struga Trim Lum, dy skuadra këto që ndeshjet e javës së 15-të, do të duhet ti zhvillojnë gjatë ditës së nesërme.

FC Shkupi në Çair do të mirëpret Makedonija Gj.P, ndërkohë Struga Trim Lum do të luaj kundër Voska Sport. (infOSport.mk)

Leave a Reply