Arsim Thaqi jep dorëheqje nga FC Drita

Trajneri Arsim Thaqi më nuk është trajner i Dritës së Gjilanit. Strategu  51-vjeçar nga Malisheva e ka ofruar dorëheqjen pas barazimit në ndeshjen e fundit të skuadrës së Dritës kundër KF Dukagjinit.

I pa kënaqur me rezultatet e deritanishme, trajneri Thaqi sot kishte kërkuar takim me kryesin e klubit për ofruar dorëheqjen e tij. Edhe pse e njëjta nuk ishte pranuar fillimisht, insistimi i trajnerit kishte bërë që në fund drejtuesit e Dritës të pranojnë dorëheqjen e tij.

“Pas shumë diskutimeve kryesia e klubit i ofroj trajnerit mbështetje për vazhdimin e rrugëtimit drejt synimit të klubit por që trajneri ishte i vendosur për këtë vendim dhe kryesia e klubit u detyrua ta respektoj vendimin e trajnerit Arsim Thaqi për të ja pranuar dorëheqjen. Klubi jonë FC DRITA e falënderon trajnerin Thaqi për bashkëpunimin tejet korrekt dhe profesional duke i dëshiruar shumë suksese në vazhdim të karrierës”, ka njoftuar FC Drita në Facebook.

Arsim Thaqi drejtimin e Dritës e morri me datë 4 janar, duke e udhëhequr skuadrën gjilanase në 10 ndeshje, nga të cilat kishte regjistruar 5 fitore, 3 barazime dhe 2 disfata.

Drita pas 29 xhirove në Superligën e Kosovës, renditet në pozitën e dytë me 57 pikë, vetëm një më pak se lideri dhe njëherit kampioni aktual, Ballkani. (infOSport.mk)

Leave a Reply