FC Shkupi kopjon Struga Trim Lum, emëron trajner nga Shqipëria!

FC Shkupi së shpejti pritet të emëroj trajner nga Shqipëria, duke kopjuar Struga Trim Lum, skuadër kjo që edicionin e kaluar kishte vendosur që 11 xhiro para fundit të sezonit të emëronte Shpëtim Duron, me të cilin në fund i’a dolën të jenë edhe kampion të Maqedonisë.

Është Ernest Gjoka, ai i cili do të marrë drejtimin e skuadrës shkupjane. Trajneri 54-vjeçar pritet të hedh nesër firmën te skuadra e Shkupit, që synon titullin kampion.

Vetëm 4 pikë në tre ndeshjet e fundit kampionale, e mbi të gjitha eliminim në gjysmëfinale të Kupës nga Tikveshi, kanë detyruar drejtuesit e klubit për të shkarkuar boshnjakun, Mlladen Zhizhoviç.

Aktualisht, FC Shkupi mban pozitën e dytë në renditje me 3 pikë më pak se lideri, Struga Trim Lum.

Kur kanë mbetur vetëm edhe 5 xhiro deri në fund të kampionatit, Gjoka do të ketë një detyrë të vështirë për të fituar titullin e kampionit, e që njëherit është edhe objektivi kryesor i ekipit nga Çairi.

Gjoka është pa skuadër prej verës së vitit të kaluar. Është Ohod Club skuadra e fundit që ka qëndruar në krye të stolit.

Në Maqedoninë e Veriut, Gjoka ka drejtuar edhe Shkëndijën. Te skuadra tetovare qëndroi nga tetori i vitit 2019 dhe deri në verën e vitit 2021.

Gjatë sezonit të dytë (2020/21) i’a doli të fitojë edhe titullin kampion.

Leave a Reply