FFM do të ngre procedurë disiplinore ndaj Shkëndija H.! Persona zyrtarë dhe jozyrtarë u futën brenda dhomës së arbitrëve!

FFM ka reaguar lidhur me ngjarjet që ndodhën pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin e Çairit, midis Shkëndijës së Haraçinës dhe Struga Trim Lum.

Nga FFM informojnë opinionin publik se persona zyrtarë dhe jo zyrtarë në mënyrë të pabazë dhe subjektive kanë hyrë në dhomat e zhveshjes së arbitrëve dhe në mënyrë josportive, fyese dhe vulgare kanë fyer arbitrët dhe zyrtarët e Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe se incidenti është konstatuar edhe në procesverbal.

Federata e Futbollit të Maqedonisë dhe Komisioni i arbitrëve e dënojnë ashpër këtë sjellje të pahijshme, të pacivilizuar dhe tejet josportive, e cila përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit, dinjitetit dhe sigurisë së zyrtarëve të kësaj federate.

“Paaftësia sportive, mosnjohja e Rregullave të Lojës së Futbollit dhe mosrespektimi i vlerave themelore sportive nuk mund dhe nuk do të jenë kurrë justifikim për fyerje, kërcënime, presione dhe sulme të pabazuara ndaj arbitrëve dhe zyrtarëve të Federatës, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendime të marra drejt, në përputhje me Rregullat e Lojës së Futbollit dhe Protokollin e VAR-it.” – thonë nga FFM, që njëkohësisht thonë se do të iniciohet procedurë përkatëse disiplinore para organeve kompetente të FFM-së për KF Shkëndijën e Haraçinës.

Leave a Reply