Një episod i rrallë dhune është regjistruar në futbollin bolivian, në ndeshjen vendimtare të Kupës së Bolivisë. Protagonist i ngjarjes u bë arbitri kryesor i takimit, Jordy Aleman, i cili humbi qetësinë pas përfundimit të ndeshjes dhe goditi me grusht portierin pas finales Real Potos-Always Ready.
Bëhet fjalë konkretisht për sfidën e kthimit, në të cilën ekipi i Real Potosit hynte me avantazhin e fitores 3-1 të siguruar në takimin e parë.
Përballja e dytë u shoqërua me tension në fushë dhe me vendime të forta disiplinore. Gjatë zhvillimit të ndeshjes, arbitri kryesor ndëshkoi me nga një karton të kuq secilën prej skuadrave.
Vendimet e gjyqtarit Aleman shkaktuan pakënaqësi gjatë takimit, veçanërisht në radhët e Always Ready, futbollistët e të cilit protestuan ashpër.
Takimi i kthimit u mbyll në barazim pa gola, por vërshëllima përfundimtare nuk solli qetësimin e situatës në fushën e lojës. Menjëherë pas përfundimit të sfidës, tensioni u zhvendos te skuadra tjetër.
Futbollistët e Real Potosit iu drejtuan arbitrit me protesta të forta në fushë. Në ato çaste, situata doli jashtë kontrollit dhe debati u kthye në përplasje fizike.
Gjatë protestave të lojtarëve, arbitri Jordy Aleman humbi vetëkontrollin dhe goditi me grusht portierin e Real Potosit, duke krijuar një situatë të tensionuar në mbyllje të finales.
Pas qetësimit të përkohshëm të gjendjes në fushë, arbitri i takimit u detyrua të largohej nën mbrojtjen e forcave të policisë.
Megjithatë, ky veprim pritet të ketë pasoja të rënda në karrierën e tij. Sipas raportimeve pas ngjarjes, reagimi i Aleman ndaj portierit të Real Potosit e vendos arbitrin përballë rrezikut serioz të një pezullimi nga drejtimi i ndeshjeve, i cili mund të shkojë deri në tre vite.
