Gjorgji Hristov: Rezultatet konfirmojn se futbolli i të rinjve po ecën në drejtimin e duhur

Kontinuiteti i rezultateve, kualifikimet në fazën elitare të kualifikueseve për Kampionatin Evropian, reformat në ligat e të rinjve dhe ndjekja sistematike e futbollistëve të talentuar janë pjesë e procesit të zhvillimit të futbollit të të rinjve në Maqedoni.

Drejtori teknik i ekipeve kombëtare të të rinjve, Gjorgji Hristov, në një takim me mediat foli për arritjet, sfidat, kriteret për përzgjedhjen e reprezentuesve dhe pritshmëritë nga gjeneratat që në vitet e ardhshme duhet të jenë baza e ekipit kombëtar A.

Vëmendje të veçantë tërhoqi suksesi i gjeneratave 2009 dhe 2010, të cilat gjatë dy viteve të fundit siguruan kualifikimin në fazën elitare të kualifikueseve për Kampionatin Evropian.

Sipas Hristovit, ky kontinuitet është një tregues i rëndësishëm i përparimit, veçanërisht duke pasur parasysh se gjatë tri dekadave të fundit Maqedonia ka arritur të kalojë në këtë fazë vetëm dy herë.

“Duhet të jemi të kënaqur dhe krenarë me rezultatet. Gjenerata 2010 siguroi kualifikimin në fazën elitare, dhe ky është viti i dytë radhazi që arrijmë ta bëjmë këtë hap. Vitin e kaluar e bëri gjenerata 2009, ndërsa tani edhe 2010. Bëhet fjalë për një rezultat fenomenal, veçanërisht sepse kemi të bëjmë me ekipet kombëtare më të reja. Gjatë 30 viteve të fundit kemi kaluar në fazën elitare vetëm dy herë, ndërsa tani e arrijmë këtë për dy vite radhazi“, theksoi Hristov.

Kualifikimi në fazën elitare ka edhe një rëndësi shtesë, pasi ekipet përfaqësuese futbollistike të të rinjëve, do të jenë pjesë e shortit në një rang më të lartë, gjë që hap mundësinë për t’u përballur me ekipet kombëtare më të mira evropiane dhe me sfida të reja në zhvillimin e tyre.

Hristovi foli edhe për gjeneratën 2008, e cila pati një cikël të suksesshëm kualifikues, megjithëse në grupin e saj vetëm përfaqësuesja e renditur e para siguronte kualifikimin në fazën tjetër. Ndërkohë, gjeneratat 2011 dhe 2012 janë pjesë e procesit më të gjerë të krijimit të ekipeve kombëtare konkurruese të të rinjve, me synim që rezultatet dhe zhvillimi të mos varen nga një gjeneratë, por të bëhen një kontinuitet.

Leave a Reply