Çeferin: Me Masarin kemi bashkëpunim të shkëlqyer, futbolli në Maqedoni është në duar të sigurta

Presidenti i UEFA-së, Aleksandar Çeferin, në një intervistë dhënë në kuadër të platformës televizive të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, ka folur për marrëdhëniet e shkëlqyera me FFM-në dhe presidentin Masar Omeragiç, investimet në infrastrukturën e futbollit, solidaritetin në futbollin evropian dhe pozicionin e barabartë të të gjitha federatave kombëtare në UEFA.

Çeferin, i cili ndodhej në Maqedoni me ftesë të presidentit të FFM-së, Masar Omeragiç, dhe ndoqi ndeshjen midis Maqedonisë dhe Sllovenisë në kuadër të Ligës së Kombeve, nuk e fshehu kënaqësinë e tij nga vizita që i’a bëri vendit tonë.

Një rast i veçantë për takimin ishte ditëlindja e presidentëve të dy federatave të futbollit, Masar Omeragiçit dhe Radenko Mijatoviçit.

Kreu i futbollit evropian dërgoi një mesazh të qartë të besimit në udhëheqjen e FFM-së, duke theksuar se futbolli në Maqedoni është në duar të sigurta.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e durimit dhe punës së vazhdueshme në procesin e krijimit të një ekipi kombëtar konkurrues.

“Njerëzit vazhdimisht shikojnë vetëm rezultatet e ekipit kombëtar A, por duhet të kuptojnë se është një proces. Unë vij nga një vend me madhësi afërsisht të njëjtë me Maqedoninë dhe e di që duhet kohë për të krijuar gjeneratën e duhur për rezultate të vërteta. Federata futbollistike e Maqedonisë po lëviz në drejtimin e duhur. Për aq sa jam në dijeni, ju e keni rigjallëruar ekipin kombëtar dhe mendoj se publiku duhet t’ju japë pak kohë. Maqedonia do të luajë përsëri në Kampionatin Evropian”, tha Çeferin.

Presidenti i UEFA-s theksoi veçanërisht bashkëpunimin e mirë me Masar Omeragiç, të cilin e konsideron si një zgjedhje të shkëlqyer për kreun e futbollit në Maqedoni.

“Ai është i mprehtë, e kupton futbollin, por edhe marrëdhëniet sportivo-politike. Nuk kam nevojë t’i shpjegoj shumë. Shpesh jemi në kontakt, por nuk humbasim shumë kohë sepse gjithçka e ka të qartë. Kjo është arsyeja pse jam i sigurt se futbolli në Maqedoni është në duar të mira.” – u shpreh Çeferin.

Numri 1 i futbollit europian foli gjithashtu edhe për investimet e UEFA-s në infrastrukturë, sfidat me të cilat përballen federatat më të vogla dhe nevojën për mbështetje më të madhe nga institucionet shtetërore dhe qeveritë lokale.

Ai theksoi se fondet nga shtëpia evropiane e futbollit kontrollohen dhe se federatat po i përdorin ato kryesisht në mënyrë ekonomike dhe të përgjegjshme.

 

Leave a Reply