Pas disfatës së rëndë në Kratovë dhe humbjes 6:0 nga Sileksi në ndeshjen e parë të sezonit të ri, skuadra e Bashkimit sot para tifozëve të vet kërkon rehabilitimin dhe pikët e para në kampionat.
Në Kumanovë “zigjelbërit” do të mirëpresin Tikveshin, që sezonin e ri e nisi me një fitore bindëse 5:1 ndaj Arsimit.
Mirëpo pavarësisht këtij fakti, te skuadra e Bashkimit mbizotëron optimizmi. Rahman Asani është i vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj sfide, por thotë se si skuadër synim kryesor kanë fitoren në paraqitjen e tyre të parë para tifozëve të tyre.
“Para tifozëve tanë na pret një duel jashtëzakonisht i rëndësishëm kundër Tikveshit. Përballemi me një skuadër cilësore dhe të organizuar mirë, por Bashkimi në fushën e vet gjithmonë dikton ritmin dhe luan me një energji të veçantë”, theksoi Asani.
Drejtuesit e kumanovarëve ishin jashtëzakonisht aktivë në këto ditë të fundit në merkato, duke kompletuar plot dhjetë përforcime të reja gjatë afatit kalimtar.
Pritet që gjaku i ri në skuadër ta rrisë ndjeshëm cilësinë dhe të sjellë impulsin e dëshiruar. Asani beson se kombinimi i përforcimeve të reja dhe mbështetja nga tribunat do të sjellë gëzimin e parë në sezonin e ri.
“Na duhet mbështetje nga minuta e parë deri në të fundit. Na nevojitet çdo tifoz. Së bashku shkojmë për fitoren e parë që tre pikët të mbeten në Kumanovë”, – deklaroi Asani.
Tradita nga përballjet e deritanishme i jep një epërsi të vogël Bashkimit. Në 8 duelet e zhvilluara deri tani, kumanovarët kanë regjistruar 4 fitore, kurse ekipi nga Kavadari është gëzuar dy herë, ndërsa 2 ndeshje kanë përfunduar pa fitues.
Ndeshja në Kumanovë midis Bashkimit dhe Tikveshit fillon në orën 17:00.
