MekGregor do të zhvillojë ndeshje në Rusi

Vetëm për hir të fansave të tij, kikboksieri Konor MekGregor do të zhvillojë një ndeshje në Rusi. Lajmin e ka konfirmuar vetë kampioni irlandez i arteve marciale mikse, duke postuar një foto të mikut të tij Artem Lobov, duke premtuar se do të udhëtojë në Rusi.

“Një ditë, së shpejti, do të shkoj në Rusi dhe me shumë gjasa do të dueloj aty për fansat e mi rusë, në krah të vëllait tim Artem. Falënderoj të gjithë fansat e mi rusë për mbështetjen, duke njohur punën tonë të lodhshme për të arritur këto rezultate, përgjatë gjithë rrugëtimit tonë”, ka shkruar MekGregor në faqen e tij zyrtare “Instagram”.

Një premtim që irlandezi ia bën si fansave të tij në Rusi ashtu edhe mikut të tij Artem Lobov, i njohur ndryshe me nofkën “The Russian Hammer” (çekani rus). Dy sportistët e arteve marciale mikse janë shumë miq. Gjithsesi, para se MekGregor të duelojë në Rusi duhet fillimisht të mbrojë titullin kampion bote në peshën e lehtë që ka fituar në nëntor të 2016-ës, ndaj Eddie Alvarez (UFC-205, në Nju Jork). Që prej një viti ai nuk duelon më kafaz, duke marrë pushime të gjata, ndërkohë që këtë vit debutoi në ring, ku u mund nga boksieri amerikan Floud Majvether.

Leave a Reply