Barazim i çmendur midis Lesterit dhe Junajtedit (VIDEO)

Është mbyllur me barazim 2:2 ndeshja e fundit e javës së 19-të në Premierligë midis Lesterit dhe Mançester Junajtedit, njofton “infOSport.mk”.

“Djajtë e Kuq” mund të vuajnë për dy pikët e humbura të këtij takimi, duke pasur parasysh se deri në sekondën e fundit të kohës shtesë avansonin me rezultatin 2:1.

Ishte një gol i shënuar mu në sekondën e fundit të minutës së katërt shtesë, aq sa kishte treguar arbitri kryesor, që i mohoi fitoren skuadrës së Hoze Murinjos.

Albrajton degazhoi nga e djathta në shtyllën e dytë, aty ku më së miri u gjind Maguire dhe nga afërsia shënoi për 2:2.

Ndryshe figurë qendrore te Junajtedi ishte Huan Mata, që shënoi të dy golat (40’, 60’), teksa golin e parë të këtij takimi e kishte realizuar Vardi në minutën e 27-të, kur mjaft mirë pranoi një top nga ana e Rijad Mahrez.

Pas këtij barazimi Junajtedi vazhdon të qëndroj në pozitën e dytë, por tashmë me 13 pikë më pak se Mançester Siti i pozitës së parë, ndërkohë Lesteri me 27 pikë të grumbulluara renditet në pozitën e 8-të.

Vlen të ceket se vendasit e Lesterit në këtë ndeshje nga minuta e 73-të luajtën me një futbollist më pak në fushë pas përjashtimit të Amartej (dy kartonë të verdhë).

Leave a Reply